Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 20:32

Prishtinë – Të gjitha vendet e rajonit kanë objektiv integrimin në BE dhe për ta arritur këtë duhet të respektojnë integritetin territorial të vendeve fqinje, tha sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutogllu.

Burimet zyrtare nga qeveria kosovare bënë të ditur se kryeministri Thaçi ritheksoi angazhimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit rajonal, në interes të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të gjithanshëm të të gjitha vendeve të rajonit. Në këtë bashkëpunim, roli i Republikës së Kosovës është dhe do të vazhdojë të mbetet pozitiv dhe inkurajues, në funksion të përmbushjes së plotë të standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit.

Kryeministri Thaçi falënderoi Republikën e Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në procesin e pavarësimit dhe tani në procesin e zhvillimit dhe të njohjeve të reja.

Thaçi e njohu z. Davutogllu për angazhimin e Qeverisë për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, duke shtuar se vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës janë legjitime dhe kushtetuese.

“Të gjitha vendet e rajonit kanë objektiv integrimin në Bashkimin Evropian dhe për ta arritur këtë ato duhet të respektojnë integritetin territorial të vendeve fqinje. Këtë kusht duhet ta plotësojnë edhe Kosova edhe Serbia”, u shpreh kryeministrit Thaçi.

Në këtë takim Thaçi dhe Davutogllu diskutuan edhe për procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe për rolin që ka Turqia në mbështetje të Kosovës në këtë proces.

Ministri i Jashtëm turk theksoi se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej dhe Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja, pasi ky proces është në interes të mbarë rajonit.

Davutogllu theksoi se Turqia mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të shtrirë autoritetin e vet në të gjitha pjesët e Kosovës.