Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 20:09

Oslo- Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, filloi vizitën zyrtare dyditëshe në Norvegji. Në ditën e parë të vizitës, Kryeministrit Thaçi sot iu rezervua një pritje zyrtare në Parlamentin Norvegjez.

Sipas zyrës së shtypit të Qeverisë kosovare, gjatë ditës së sotme, kryetari i Parlamentetit Norvegjez, Andersen, i shoqëruar nga anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje të Parlamentit Norvegjez, për nder të kryeministrit Thaçi shtroi një drekë pune në ambientet e Parlamentit Norvegjez. 

Kryetari i Parlamentit Norvegjez përshëndeti progresin e Kosovës, si shtet i ri dhe ofroi mbështjetjen e mëtejshme të vendit të tij për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. Andersen gjithashtu ofroi vazhdimin e mbështetjes së Parlamentit Norvegjez për Parlamentitn e Kosovës, përmes programeve të ndryshme të bashkëpunimit midis parlamentarëve dhe administratave të parlamenteve të të dyja vendeve.

Kryeministri Thaçi falënderoi kryeparlamentarin norvegjez, Dag Terje Andersen dhe Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje për kontributin e dhënë për njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës nga Norvegjia dhe mbështetjen e vazhdueshme për proceset zhvillimore në Kosovën.  Ai bëri një ekspoze të gjendjes politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në reformat legjislative, politike dhe ekonomike.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit iu përgjigj interesimit të parlamentarëve të pranishëm në takim lidhur me dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe prezantoi vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime ekonomike ndërkombëtare në Kosovës, për përkushtimet e Qeverisë për respektimin afirmativ të komuniteteve dhe për çështje tjera të rëndësishme.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të vazhdojë vizitën zyrtare në Norvegji edhe nesër, kur pritet të takohet me homologun e tij, Kryeministrin e Norvegjisë, Jens Stoltenberg, me ministrin e Punëve të Jashtme, Jonas Gahr Støre dhe me ministrin e Mbrojtjes, Espen Barth Eide. Temë e takimeve të nesërme mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit norvegjez do të jenë thellimi i bashkëpunimit ndërshtetëror midis Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Kosovës, forcimi i mbështetjes për konsolidimin dhe njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe perspektiva e avancimit të procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës.

Po sot, Kryeministri Hashim Thaçi bëri homazhe tek memoriali i viktimave të sulmit terrorist në Oslo në  korrik të këtij viti, ku humbën jetën mbi 80 vetë, kryesisht të rinj, në mesin e të cilëve edhe kosovarja Lejla Selaci.