Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 23:18

Prishtinë – Kryeministri i vendit e ka ngushëlluar menjëherë familjen e policit Enver Zymberi.

“Me dhimbje të madhe morëm lajmin që polici i shtetit të Kosovës, Enver Zymberi, edhe përkundër përkushtimit të madh të ekipeve mjekësore, ndërroi jetë sonte, pas plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës, por që nuk ia arritën”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

“Sakrifica e Enverit në mbrojtje të kufinjve të atdheut, të shtetit të Kosovës, do të mbetet përherë në kujtesën dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës, duke identifikuar njëkohësisht përkushtimin e tij për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në vendin tonë. Vdekja e Enverit është një humbje e madhe jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për mbarë popullin dhe institucionet e vendit”, thuhet në telegram.

“Falë Enverit dhe policëve të kalibrit të tij të lartë, institucionet e Kosovës arritën të vëjnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në pikat kufitare në veri të vendit”, përfundon telegrami ngushëllues i Kryeministrit Hashim Thaçi. (LajmeShqip.com)