Lajme Shqip Saturday, 28 April 2012 19:53

Tiranë – Kryeministri kanadez, Stefen Harper, ka përmendur sot, në ceremoninë përkujtimore për Holokaustin, zhvilluar në Kanada, Shqipërinë si shembull dhe model për mënyrën se si shqiptarët pritën dhe ndihmuan popullin hebre që përndiqeshin nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

“Në fund të kësaj ceremonie, do të ketë pjesë nga ekspozita e përgatitur nga “Yad Vashem” (qendra kombëtare për kërkime mbi Holokaustin) për shqiptarët myslimanë, që ndihmuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”, tha kryeministri kanadez gjatë fjalimit të tij, kur nisi të flasë për Shqipërinë.

“Duhet të mësojmë shumë nga ky shembull. Pas pushtimit të nazistëve në 1943, shqiptarët refuzuan të dorëzojnë listat e hebrenjve brenda kufijve të tyre. Ata i dhanë dokumenta false hebrenjve, në mënyrë që këta të fundit t’i shpëtonin përndjekjes”, u shpreh Harper. Ai tha gjithashtu se Shqipëria ndihmoi jo vetëm shtetasit e saj hebre, por mirëpriti dhe shumë hebrenj të huaj. E si rrjedhojë shumë prej tyre shpëtuan. Cila është arsyeja e këtij shembulli të shkëlqyer?, pyeti Harper.

“Është besa, kodi i nderit, kodi më i lartë etik në Shqipëri”, tha Harper. “Besa do të thotë fjalë për fjalë, të mbash premtimin që ke dhënë, të mbash fjalën. Zonja dhe zotërinj, ne duhet ta mbajmë këtë premtim. Kjo është kultura e nderit, të cilën ne duhet ta mbrojmë dhe ta përforcojmë, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në forumet ndërkombëtare kudo në botë”, u shpreh ai. Harper po ashtu ka folur edhe për antisemitizmin si një fenomen negativ që po kërcënon shoqëritë e sotme. (LajmeShqip.com)