Lajme Shqip Tuesday, 14 January 2014 21:30

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq, ka hezituar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në Graçanicë nëse shteti serb duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë. Ai me leje të institucioneve kosovare ka marrë pjesë në premierën e një filmi, ndërsa më pas ka vizituar manastirin në këtë komunë. Daçiq ka folur për tema të ndryshme politike, duke thënë se Serbia është shumë e interesuar të vazhdojë dialogun e nisur në Bruksel, raporton KTV. 

Daçiq ka thënë se me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton nuk është diskutuar asnjëherë për çështjen e statusit, ndërkohë që ka siguruar qytetarët serbë se dialogu është neutral. Ai ka thënë se edhe zgjedhjet në Kosovë është dashur të mbahen duke respektuar parimin e neutralitetit. Sipas tij, të dyja delegacionet janë pajtuar në Bruksel që edhe ceremonitë e betimit nëpër komunat e pjesës veriore të zhvillohen në frymë neutrale. Duke vazhduar deklarimin e tij, Daçiq ka thënë se Serbia nuk do të njohë asnjëherë shtetin e Kosovës.

Daçiq në Kosovë ka ardhur me leje të institucioneve kosovare, ndërsa është përcjellë nga kufiri në Merdar drejt Gracanicës nga policia e Kosovës. Në krijimin e sigurisë për kryeministrin serb kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarë të EULEX-it./koha/