Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 16:56

Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se qeveria do të mbështesë investimet çeke në Shqipëri. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij çek Petr Necas, kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se qeveria do t bëjë gjithçka që investimet çeke në vendit tonë të jenë një histori suksesi.Gjithashtu Berisha theksoi se homologu i tij çek dhe vendi i tij mbështet integrimin e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Kryeministri çek më garantoi mbështetjen e plotë të prespektivës europiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit perëndimor. E sigurova kryeministrin që projekti i integrimit është projekti më thelbësorë dhe më i rëndësishëm për shqiptaret dhe ne e marrim si një proces të bazuar në meritë dhe në performance. Gjithashtu diskutuam për intesifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat” shtoi Berisha.

Nga ana e tij, kryeministri çek Necas vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve ndërsa kërkoi që të zhvillohen më tej marrëdhëniet ekonomike. “Jam i kënaqur me marrëdhëniet mes dy vendeve por kërkoj që zhvillohet edhe bashkëpunimi ekonomik. Kemi interes të zhvillohet bashkëpunimi ekonomik dhe investimet çeke në disa fusha. Çështje kyçe mbeten investimet në energjitikë dhe në miniera” ka shtuar Necas.

I pyetur nga mediat për kompaninë CEZ, kryeministri çek Necas theksoi se interesi i qeverisë së tij është që kjo kompani të jetë një model suksesi në Shqipëri. “Interesi ynë është që hyrja e CEZ të jetë një model suksesi. Gjithashtu jam siguruar sot nga ana e kryeministrit Berisha ka interes që ky proces të dalë me sukses. Kam marrë parasysh se në këtë proces ka patur shumë mosmarrëveshje dhe që besojmë se do ti zgjidhim ato. Besoj se zgjidhja e kësaj situate do të jetë një sinjal kyç edhe për evropën e mesme që duhet ta shohë si model suksesi. Kryeministri berisha të premtoi sot se pala shqiptare do të bëjë çmos ta zgjidhë këtë çështje”, u shpreh Necas.

Kryeministri Sali Berisha tha se kanë shumë arsye kompanitë çeke të investojnë në Shqipëri. “Fakti se atyre u krijohen problemet, ne i diskutojmë sëbashku në mënyrën më transparente për zgjidhjet më të drejta dhe të ndershme është në favor të kësaj kompanie. Problematika lidhur me CEZ, marrëdhëniet komplekse me faktorë të tjerë në Shqipëri është trajtuar nga të dyja palët gjerësisht gjatë kësaj periudhe dhe besoj po shkohet drejt zgjidhjes së problemeve të krijuara”, theksoi Berisha. (LajmeShqip.com)