Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 16:30

Tiranë – Kryeministri Berisha vizitoi sot paradite, Leka Zogun, i cili prej dy ditësh ndodhet në trajtim intensiv në repartin e reanimacionit të spitalit të Neurologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, njoftoi zyra e shtypit e kryeministrisë.

Kryeministri Berisha, pasi u njoh nga ekipi i mjekëve me gjendjen shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit intensiv, pati një komunikim të shkurtër me Leka Zogun. Ai i uroi shërim të shpejtë dhe e siguroi për mbështetjen e qeverisë për kapërcimin e gjendjes shëndetësore.

Në një prononcim për shtypin pas kësaj vizite Kryeministri tha se “është një gërshetim patologjie komplekse, por gjendja dhe parametrat në tërësi, siç më njofton ekipi që ndjek në mënyrë permanente Madhërinë e Tij, Lekën e I, ka shenja të qarta përmirësimi. Ajo që mund të them është se komunikova shumë mirë me të, e gjeta optimist se do ta kapërcejë këtë situatë, uroj që të dalë sa më shpejt dhe shërim të shpejtë nga situata për të cilën erdhi në spital Madhëria e tij”.

Berisha tha se “Qeveria është e vendosur të japë çdo lloj mbështetjeje, në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë shëndetësore, të përmirësohet e të vazhdojë aktivitetin e tij”.