Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 18:00

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha priti sot, në kryeministri, një grup gazetarësh të mediave më prestigjoze gjermane, të cilët kanë nisur një vizitë disaditore në Shqipëri. Në përbërje të grupit janë përfaqësues të gazetave të mirënjohura “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Tagesspiegel”, “Märkische Allgemeine Zeitutng”, “Berliner Zeitung”, gazetës ekonomike “Handelsblatt”, revistës “Spiegel online”, stacioneve televizive “West Deutsche Rundfunk” dhe “Mittel Deutscher Rundfunk”, filiale të ARD-së, “Deutschland-Berlin-Brandenburg” (DBB), radios “RBB”, si dhe kryetarja e Klubit të Shtypit të Berlinit dhe përfaqësues të Dhomës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë.

Ata e informuan Kryeministrin se qëllimi i vizitës së tyre është njohja nga afër me Shqipërinë, zhvillimet dhe qasjen që qeveria e shoqëria shqiptare kanë ndaj procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Ata i thanë Kryeministrit se me interes të veçantë prisnin zhvillimin e një turi njohës në disa qytete  arkeologjike si Kruja, Durrësi, Berati, Saranda, Butrinti, çka do t’i japë mundësinë të njihen edhe me historinë e kulturën shqiptare.

Kryeministri, duke iu përgjigjur interesimit të tyre, bëri një panoramë të zhvillimeve në Shqipëri. Për shoqërinë shqiptare, tha Kryeministri, nuk ka projekt më madhor për këtë shekull, se integrimi në Bashkimin Europian. “20 vjet më parë, Shqipëria ka qenë vendi më unik  në Europë, i cili nuk gëzonte thuajse as edhe një standard europian, edhe pse ekzistonte në këtë kontinent. Në vitin ’92, Shqipëria renditej vendi i tretë më i varfër në botë, sëbashku me Ugandën e Angolën. Sot, ajo i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme të larta, sipas Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare.”

Në vijim, Kryeministri Berisha paraqiti potencialet që Shqipëria ofron për investime. Kryeministri Berisha shfrytëzoi takimin me gazetarët e mediave prestigjioze gjermane, për të ftuar qytetarët gjermanë të vizitojnë Shqipërinë, duke theksuar se në këtë vend do të gjejnë jo vetëm panoramën e mrekullueshme, por edhe mikpritjen e shkëlqyer të shqiptarëve. (LajmeShqip.com)