Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 08:59

Zagreb-Zv/kryeministrja kosovare për Politikë të Jashtme dhe Siguri Nacionale, Edita Tahiri, u prit dje në takime të veçanta nga Neven Mimica, zv/kryeministër për Çështje të Brendshme, të Jashtme dhe Evropiane si dhe Vesna Pusic, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, gjatë të cilave u bisedua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, për axhendën euroatlantike të dy vendeve dhe bashkëpunimet rajonale.

Zv/kryeministrja Tahiri, theksoi se Republika e Kosovës është dëshmuar se është një faktor stabiliteti në rajon, ndërsa shtoi se përshpejtimi i integrimit të gjithë shteteve të rajonit në BE do të kontribuojë për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Ministrja Pusic u angazhua për thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Kroacisë si dhe ofroi mbështetjen e vendit të saj për ardhmërinë evropiane të Kosovës.

Pusic tha se Kroacia e mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe se Kosova e ka vendin në BE dhe NATO, duke shtuar se integrimi i rajonit në strukturat euroatlantike do t’i shërbejë stabilitetit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.

Gjatë ditës, zv/kryeministrja Tahiri zhvilloi takim me zv/kryeministrin Neven Mimica, ku të dy palët u zotuan për avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes të Kosovës dhe Kroacisë si në kuadrin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral. Mimica tha se Kroacia e mbështet fuqishëm perspektiven euroatlantike të Kosovës dhe se këtë mbështetje do ta bëjë edhe përmes shkëmbimit të eksperiencave për axhendën evropiane. (LajmeShqip.com)