Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 20:20

Prishtinë – Kroacia mbështet pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, tha kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç, i pritur në takim sot në Prishtinë nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

Sipas komunikatës nga Presidenca kosovare, kryetari i Parlamentit të Kroacisë i vlerësoi marrëdhëniet e të dyja vendeve si të mira dhe theksoi nevojën e shtrirjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, të sigurisë dhe në të gjitha fushat e tjera. Bebiç tha se, Kuvendi i Kroacisë i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndërparlamentar.

“Kroacia është e interesuar që me Kosovën të ndërtojë marrëdhënie të partneritetit miqësor dhe është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në fushën e ekonomisë përmes rritjes së investimeve”, tha ai.

Bebiç theksoi se me bashkëpunim dhe mirëkuptim mund të arrihet stabiliteti dhe të hapet rruga evropiane për të gjitha vendet e rajonit, ndërsa shtoi se “Kroacia i ofron ndihmë të pa rezervë Kosovës në rrugën e saj evropiane”.

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë tha se, vendi i tij mbështet pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mira dhe thellimi i këtij bashkëpunimi do të ishte në të mirë të popujve të të dyja vendeve dhe në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka hyrë në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe se komuniteti kroat në Kosovë do të përfshihet në Kushtetutë dhe të gëzojë të gjitha të drejtat si edhe komunitetet e tjera. Ajo tha se komuniteti kroat në Kosovë dhe ai shqiptar në Kroaci dëshmojnë lidhjen e fuqishme mes dy vendeve.

Presidentja e Republikës tha se të dyja shtetet janë shembull i mirë i bashkëpunimit në rajon dhe theksoi se rajoni i Ballkanit dhe i Evropës Juglindore është i qetë vetëm nëse të gjithë janë të lirë dhe të barabartë dhe vetëm nëse e ndihmojnë njëri-tjetrin në rrugën e integrimeve.

Presidentja Jahjaga tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është zgjidhje e mirë për problemet e të drejtave të komuniteteve dhe të grupeve etnike, ndërsa perspektiva e zhvillimit dhe integrimit e përcakton bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe mundëson që të gjenden zgjidhjet e pranueshme për të gjithë.

Në ditën e parë të vizitës dyditëshe në Kosovë, Bebiç në krye të një delegacioni parlamentar kroat, fillimisht është pritur sot paradite nga kryeparlamentari kosovar, Jakup Krasniqi¸ ndërsa mbajti fjalim në një seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku mori pjesë së bashku me presidenten, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin, Hashim Thaçi.

Gjatë vizitës në Kosovë, nesër Bebiç do të qëndrojë edhe në Janjevë, lokalitet i banuar me kroatë dhe do të takojë ushtarët kroatë në kuadër të KFOR-it.