Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 21:41

Prishtinë – Zv/kryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri dhe Ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopia, në një takim sot në Prishtinë diskutuan për forcimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, Kosovës dhe Kroacisë, si dhe bashkëpunimet rajonale në fushën diplomatike, ekonomike, etj.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit theksuan se dialogu teknik midis Kosovës dhe Serbisë, ka për qëllim që të përmirësojë jetën e qytetarëve në planin ekonomiko-social, por ai është i rëndësishëm si kontribut për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal. Gjithashtu në këtë kontekst u mbështet qëndrimi se Kosova duhet të përfitojë nga ky dialog për përshpejtimin e integrimeve evropiane. Zv/kryeministrja Tahiri tha se para Baroneshës Ashton ka paraqitur kërkesat konkrete që Kosova duhet t’i përfitojë si rezultat i angazhimit të saj konstruktiv siç janë: liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, hyrja në marrëdhënie kontraktuale me BE-në përkatësisht nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim asocimit dhe përshpejtimi i statusit të kandidatit për Kosovën.

Ambasadori Vodopia ripërsëriti përkrahjen e Kroacisë për Kosovën në forcimin e shtetit si dhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve kroate në Kosovë.