Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 08:07

Kosova duhet të dëshmojë se është e aftë t’i gjykojë edhe vetë krimet e luftës, të cilat nuk do të mund t’i trajtojë Gjykata Speciale për shkak të kufizimit të periudhës kohore, kanë thënë analistë ndërkombëtarë

Gjykata Speciale do të ketë juridiksion mbi krimet që pretendohet se i kanë kryer drejtues të UÇK-së gjatë viteve 1998-2000, të cilat gjenden në Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, autor i të cilit është senatori Dick Marty, shkruan sot Koha Ditore.

James Ker-Lindsay, hulumtues i lartë në Shkollën për Shkenca Politike dhe Ekonomi (LSE), ka thënë se Kosova duhet ta ndjekë shembullin e fqinjëve, duke trajtuar krimet brenda sistemit të vet gjyqësor.

“Siç e kemi parë në të gjithë ish-Jugosllavinë, ndërsa figura të larta të akuzuara për kryerjen e shumë të këqijave e krimeve të luftës, janë gjykuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës – ka pasur edhe gjyqe për krimet e luftës brenda Serbisë, Bosnjës dhe Kroacisë”, ka thënë Lindsay. “Çdokush pret që kjo përfundimisht do të ndodhë edhe në Kosovë”. Edhe pse EULEX-i është i angazhuar në disa hetime, sipas Lindsay, shumë pak gjykime janë bërë deri tani.