Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 09:02

Me themelimin e Gjykatës Speciale, misionit të BE-së në Kosovë (EULEX), nuk i hiqen kompetencat për t’u marrë me krimet e luftës. Në anën tjetër, as institucionet e drejtësisë në Kosovë nuk do të jenë të neglizhuara nga ky proces. Të tri këto institucione do të merren me krimet e supozuara të luftës, por që do të veprojnë të ndara njëra me tjetrën.

Mandati i SITF (Task Forca Hetimore Speciale) dhe Dhomave të Specializuara, të cilat do të jenë në Gjykatën Speciale, do të merren vetëm me pretendimet e bëra në Raportin (Raporti Dok 12.462 i 7 janarit 2011) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. (Raporti i Dick Martit), bën të ditur, zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikoliq-Solomon, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndërsa të gjitha krimet tjera të supozuara se janë kryer gjatë luftës, bien në kompetencë të veçantë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), një shërbim të specializuar të Prokurorisë në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Shtetit. Kurse brenda PSRK-së, prokurorët e EULEX-it dhe të Kosovës kryejnë funksione ekzekutive.

Sipas Nikoliq-Solomon, ligjet e miratuara në prill të vitit 2014, përcaktojnë se prokurorët e EULEX-it normalisht vazhdojnë të punojnë me rastet që janë në vazhdim e sipër.

E pyetur nëse tashmë prokurorë apo gjykatës të EULEX-it do të bëhen pjesë e Gjykatës Speciale, Nikoliq-Solomon thotë se në këtë fazë hapat e ardhshëm përfshijnë finalizimin e marrëveshjeve me shtetin nikoqir dhe negociatat për vendndodhjen.

 “Kjo do të përcillet me përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe rekrutimit të stafit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar”, deklaroi Nikoliq-Solomon, sipas të cilës, detajet e kësaj procedure gjenden në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Neni 28, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.