Lajme Shqip Thursday, 17 September 2015 08:58

Për herë të parë në Kosovë krijohet një front i përbashkët opozitar, i përbërë nga tri parti politike, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia “Nisma”, të cilat i kanë shpallur “luftë” Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar dorëheqjen e saj, në të kundërtën kanë paralajmëruar mobilizim për protesta gjithëpopullore.

Tre liderët opozitarë, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, ia kanë dhënë “besën” njëri-tjetrit se do të jenë të bashkuar në veprimet e tyre, si brenda Kuvendit, ashtu edhe jashtë në rrugë për të protestuar në drejtim të rrëzimit të Qeverisë “Mustafa”, duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Në një konferencë të përbashkët me gazetarë, tre liderët kërkuan reflektimin e ekzekutivit në shfuqizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në theks të veçantë atë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi. Lidhur me këto, opozita është dakorduar që nga dita e premte të fillojë me peticionin gjithëpopullor për t’i kundërshtuar marrëveshjet. /Zeri