Lajme Shqip Thursday, 17 October 2013 13:12

Lipjan- Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega e Lipjanit përmes një komunikate për shtyp ka reaguar ndaj disa personave të pandërgjegjshëm, të cilët, pak para se të fillonte takimi mbrëmshëm në fshatin Gllogovc, aty ku edhe pritej të zhvillohej takimi, kanë hapur një varr, në tokën që është pronë e kryetarit aktual të Nëndegës së LDK-së në këtë fshat, Rexhep Arifi.

“Ky akt i shëmtuar i njerëzve të këqij e huliganë është tejet shqetësues, edhe pse, në të kaluarën, politika qëllimkeqe ka ditur të provokojë edhe në mënyra të tjera, mirëpo kjo është nga provokimet më ekstreme”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Me këtë rast po merret Policia e Kosovës dhe LDK-ja kërkon zbardhjen e tij sa më të shpejtë. Njëkohësisht, Dega e LDK-së e Lipjanit reagon ndaj shkatërrimit të panos së LDK-së në fshatin Jeta e Re, ku persona të njohur, përveçse e shkatërruan panon e LDK-së e larguan atë nga vendi ku ishte vendosur.

Dega e LDK-së e Lipjanit konsideron se këto janë shenja të frustrimeve militantiste politike dhe, si të tilla, paraqesin sjellje jocivilizuese dhe të papranueshme.

LDK-ja, Dega e Lipjanit, bën sërish thirrje për një fushatë të qetë, për një fushatë të lirë dhe demokratike. /Zëri/