Lajme Shqip Wednesday, 14 March 2012 10:35

Tiranë- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, deklaroi të martën se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të funksionojë siç duhet dhe në mënyrë krejtësisht teknike, pasi kështu do t’i shërbente qytetarëve.

Gjatë një vizite në Universitetin Bedër, ambasadori Wollfarth vuri në dukje rëndësinë e reformës zgjedhore, duke theksuar se në zgjedhjet e fundit, procesi në Tiranë ngriti disa çështje të paparashikuara në kodin zgjedhor, si rasti i fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara.

“Kjo tregon se disa çështje shumë teknike, si hedhja e votave, mund të politizohen shumë në rastin e rezultateve shumë të afërta, duke ndikuar te rezultati dhe ky është thjesht një shembull praktik nga një listë më e gjatë çështjesh që OSBE/ODIHR-i, përmes Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, ka rekomanduar që të rishikohen në kuadrin e procesit të reformës së Kodit Zgjedhor”, tha Wollfarth.

Ambasadori nënvizoi se nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara dhe e zgjedhjeve të 2009-s, del detyrë përmirësimi i kodit zgjedhor, në mënyrë që KQZ-ja të jetë në një pozicion më të mirë teknik për t’i shërbyer qytetarëve, ku përfshihen sigurisht edhe partitë politike.

“Kjo duhet të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve te sistemi, besimi se votat e tyre janë të rëndësishme dhe se ato numërohen siç duhet për një rezultat të besueshëm, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato vendore. Tashmë është shumë e rëndësishme që të ruhet interesimi i qytetarit të zakonshëm dhe që koha të përdoret me efiçencë”, tha Wollfarth.

Po ashtu, sipas tij, është shumë e rëndësishme të krijohet besimi midis partive në mënyrë që KQZ-ja të funksionojë siç duhet dhe në mënyrë krejtësisht teknike.

“Kjo do të çlirojë më shumë energji edhe për pjesë të tjera të procesit të vazhdueshëm të reformave shumë të rëndësishme, i cili, është shumë i rëndësishëm për integrimin evropian. Ndër këto reforma mund të përmend si më të rëndësishmet reformën në drejtësi dhe reformën parlamentare”, theksoi Kreu i OSBE-së.  (LajmeShqip.com)