Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 14:49

Prishtinë – Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, u kërkoi përfaqësuesve serbë në fshatin Frashër me mbi 300 shtëpi, në të cilin deri në luftën e fundit kanë jetuar rreth 140 familje serbe dhe të tjerat shqiptare, që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre.

Gjatë takimit me një grup serbësh të fshatit Frashër për mundësinë e kthimit të tyre në pronat dhe shtëpitë, që u janë rindërtuar me mjete të Qeverisë së Kosovës, të cilat që nga viti 2005 qëndrojnë të boshatisura, Kastrati theksoi se “situata e sigurisë është e kënaqshme, pasi serbëve që shkojnë në Frashër gjatë ditës për të punuar tokat e tyre, numri i të cilëve është mjaft i madh, nuk iu ka ndodhur asgjë e keqe, madje asnjë provokim gjatë viteve të fundit”.

“Situata në komunë është e qetë, në pjesën jugore të qytetit për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, ekziston liria e plotë e lëvizjes pa asnjë problem”, nënvizoi Kastrati, duke shtuar se në komunë dhe në pjesë tjera të qytetit, për çdo ditë qytetarët serbë lëvizin lirshëm për të kryer shërbime të ndryshme, madje duke komunikuar pa asnjë problem në gjuhën e tyre.

“Edhe ju serbët e Frashërit ejani në pronat që i keni këtu dhe nuk do t’iu ndodh asgjë shqetësuese përsa i përket sigurisë tuaj”, theksoi Kastrati.

Përfaqësuesi i serbëve të Frashërit, Millorad Radivojeviç, tha se “për ne nuk është problem siguria personale, por ajo e pronës dhe ka përmendur vjedhjet dhe dëmtimet që u janë bërë shtëpive të tyre.

Kastrati sqaroi se “ju duhet të ktheheni në shtëpitë tuaja nëse doni që ato të mos dëmtohen nga keqbërësit. Policët e Kosovës janë këtu vazhdimisht për të garantuar sigurinë tuaj”.
Ndërkohë që në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, të cilët po ashtu garantuan se siguria nuk është problem.