Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 12:21

Prishtinë-Hasan Preteni në intervistën për “Kohën Ditore” tregon se në mesin e 13 rasteve “të mëdha” që Agjencia i dërgoi në prokurori gjatë vitit që shkoi, ka edhe zyrtarë nga Zyra e kryeministrit, por jo edhe nga Presidenca dhe Kuvendi.

Por, nuk pranon të bëjë publikë emrat, as për ata që u hetuan në të kaluarën nga Agjencia, e as për ata që janë në procedurë të hetimeve.

Ai thotë se e obligon Ligji të ruajë këtë sekret gjatë fazës hetimore, por flet me kode, kur pohon se ka lexuar ndonjë rast të raportimit në media për korrupsion, që e lë të nënkuptohet mundësinë e hetimit të këtyre rasteve nga Agjencia.

Për herë të parë, ai sqaron publikisht se përse kritikon gjykatat për mospunë sa herë që flet për korrupsionin. Thotë se ato nuk dërguan kurrë askënd në burg për korrupsion, duke përjashtuar ish-drejtoreshën e PTK-së, Leme Xhema, e cila nuk po mund të burgoset.

Preteni rikujton se për vitin 2011 janë 121 emra të veçantë që janë dërguar në prokurori, ndonëse i kemi trajtuar 160 informacione, nga të cilat në 39 raste kemi gjetur raste me prova të mjaftueshme, dhe në ato 39 raste janë të përfshirë 121 persona.