Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 15:00

New York – Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, është shpallur “Qytetar Nderi” i New York-ut në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për kontributin e tij në mbrojtje të interesave të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ky çmimi i është dhënë kreut të Aleancës Kuq e Zi me kërkesë të rajonit të Manhatanit dhe presidentit të këtij rajoni, Scott M. Stringer, duke u bërë kështu i vetmi nënshtetas i huaj që e merr këtë titull.

“Ky çmim i dedikohet sakrificës së shqiptarëve ndër vite, që u përpoqën për Pavarësinë e Kosovës dhe jetën e tyre ja dedikuan krejtësisht ardhmërisë së Kosovës dhe shqiptarëve”, – është shprehur Spahiu gjatë ceremonisë së dhënies së këtij çmimi.

Spahiu ka falënderuar komunitetin shqiptar në SHBA që kontribuuan për dhënien e këtij çmimi dhe ka bërë thirrje për bashkim kombëtar.

“Shqiptarët nga Kosova e Çamëria, Ulqini e Tetova, Tirana e Shkodra, të gjithë në vitin 2013 duhet ta shndërrojmë nga 100 vjetori i copëtimit, në nisjen e shekullit të ndryshimit të kombit shqiptarë. Ejani së bashku të ndryshojmë regjimet politike dhe ta shndërrojmë Shqipërinë në tokën e premtuar”, – deklaroi Spahiu.(LajmeShqip.com)