Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 16:26

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot në mesditë një vizitë në familjen e “Pishtarit të Demokracisë”, Azem Hajdari, njërit prej politikanëve dhe deputetëve më të spikatur në historinë e demokracisë shqiptare, i cili humbi jetën tragjikisht 13 vjet më parë në Tiranë.

Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit kujtoi me nderim e respekt të veçantë disa momente të paharrueshme të punës e  bashkëbisedimeve miqësore me të ndjerin Azem Hajdari, si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, duke vënë në dukje veçanërisht vullnetin, dëshirën e punën vetëmohuese të tij për të realizuar ëndrrën e hershme, konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

Në një prononcim për mediat, Kreu i Shtetit, duke vlerësuar këtë figurë të shquar të historisë së demokracisë shqiptare, u shpreh se “sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e vlerësojmë Azemin, një njeri që ka demonstruar të jetë i lirë, edhe atëherë kur shumë njerëz ishin të kompleksuar”.

“Edhe pse kalojnë vitet, vështirë se gjendet një figurë paralele me Azem Hajdarin, për kurajon civile e qytetare, për të demonstruar në çdo lloj mjedisi se njeriu, para se të realizojë vepra të mëdha, duhet të jetë së pari një njeri i lirë. Kjo është arsyeja që ai respektohet dhe mbetet gjithmonë një figurë shumë e freskët për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare”, u shpreh Presidenti Topi.

Kryeministri Sali Berisha, në përvjetorin e 13-të të vrasjes së deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, shprehu bindjen se, “idealet dhe ëndrrat e tribunit të lirisë sot janë realitet në Shqipëri”.

Kreu i qeverisë, pas homazheve të zhvilluara në memorialin e ngritur për nder të tij, e cilësoi deputetin demokrat “tribun të demokracisë, i cili jo vetëm vrau frikën, por që shumë shpejt u shndërrua në flamurmbajtësin dhe maratonomakun e demokracisë shqiptare”.

Duke vlerësuar lart rolin e tij në fillimet e demokracisë në Shqipëri dhe kontributin kundër regjimit vrastar kryeministri theksoi se, “nga fallangat terroriste të shtetit të asaj kohe, Azem Hajdari hyri në historinë e lirisë së shqiptarëve si një tribun i pashembullt, në një kohë kur kombi lëngonte nën shtypjen më të egër, kur në tërësi besohej se Shqipëria do të mbetej Kuba e Adriatikut dhe shqiptarët nuk do të dilnin dot nga regjimi i skllavërisë në të cilin jetonin”.

“Ata të cilët shkrehën plumbat mbi gjoksin e tij menduan dhe besonin se do të mund të eleminonin kauzën e Azem Hajdarit, por gabuan rëndë. Sot projekti dhe ëndrra e tij dhe e studentëve të dhjetorit është më realitet se kurrë. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s dhe shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën, dhe po ecin të sigurtë drejt horizontit të ri “Shqipëria, vend i zhvilluar”, u shpreh kryeministri Berisha.

Studenti Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie.

Azem Hajdari ishte deputet i PD që nga viti 1991 deri sa u vra pabesisht më 12 shtator 1998 para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës.