Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 11:19

Krerët e bashkësive fetare në Kosovë janë bërë bashkë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO). Ata ia kanë dërguar një letër të përbashkët Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, dhe delegacioneve të vendeve anëtare të UNESCO-s.

Letrën e kanë nënshkruar Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Don Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike në Kosovë, Pastori Driton Krasniqi, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Sheh Lulzim Shehu, Bashkësia e Sufi Tarikateve të Kosovës, Baba Mumin Lama, kryetar i Komunitetit Bektashian në Kosovë, dhe Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike në Kosovë.

Në vazhdim po ua përcjellim letrën e plotë të nënshkruar nga krerët e bashkësive fetare në Kosovë.

“E nderuara znj. drejtoreshë e përgjithshme,

Ne po ju drejtohemi në emër të shumicës dërrmuese të të gjitha bashkësive fetare në Kosovë, që përfaqësojnë 96% të të gjithë popullsisë së Kosovës. Luteni ta konsideroni këtë letër si një argument shtesë për mbështetjen tuaj dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Kosova ka qenë gjithmonë në udhëkryq të qytetërimeve, perandorive dhe feve. Edhe sot, edhe pse pjesa më e madhe banorëve e konsiderojnë veten myslimanë sunitë, prania e fuqishme historike bashkësive krishtere ortodokse, katolike, myslimane bektashiane, sufi myslimane, protestante ungjillore dhe hebraike, dhe bashkësitë e tjera, pasurojnë vendin tonë tonë të përbashkët që ne e quajmë Kosovë. Ne konsiderojmë se jemi vërtetë të bekuar me këtë thesar.

Ne e përqafojmë harmoninë dhe bashkëpunim historik ndërfetar, megjithëse një luftë e egër shkatërroi vendit tone vetëm 16 vite më parë. Kosova është vendi ku një vajzë e re me emrin Gonxhe Bojaxhiu u zotua për herë të pare për t’u bërë Nënë Tereza e të gjithë njerëzimit dhe ku familjet fisnike shqiptare myslimane i fshehën hebrenjtë për t’i shpëtuar nga Shoah apo Holokausti.

Kjo pasuri dhe ky diversitet duhet të ruhen dhe mbrohen.

Një pjesë e madhe e trashëgimisë sonë është humbur përgjatë historisë, posaçërisht në dekadat e fundit. Shtëpitë e Perëndisë duhet të mbeten të paprekura që të shërbejnë si fanarë për brezat e ardhshëm. Kufijtë dhe perandoritë vijnë dhe shkojnë, por vendet e adhurimit e të gjithë njerëzve duhet të mbeten të paprekur. Në epokën që po jetojmë, bashkësitë fetare të Kosovës kanë dhënë një kontribut të madh për të ndërtuan një shoqëri paqësore dhe tolerante ku ne mund të bashkëjetojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin, pavarësisht nga përkatësia jonë etnike apo fetare. Këto përpjekje janë përfshirë në raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.

Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ne nuk jemi as individë politikë dhe as përfaqësues të organizatave politike. Ne besojmë se autoritetet sekulare të Kosovës duhet të kenë të gjitha mjetet në dispozicion, ato ligjore, teknike dhe financiare, për të mbrojtur trashëgiminë tonë të përbashkët – dhe ne, si bashkësi fetare, duhet gjithashtu të kemi të gjitha mjetet në dispozicion për të ushtruar trysni mbi qeveritë e tanishme dhe të ardhshme të Kosovës që ato të jenë të ndërgjegjshme dhe të përkushtohen për mbrojtjen e objekteve, traditave tona, trashëgiminë jomateriale dhe atë materiale.

Ne shpresojmë se ju do të bëni çmos për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Lënia e qytetarëve tonë të izoluar dhe pa qasje të drejtpërdrejtë në UNESCO nuk do të ndihmojë kauzën e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët, promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen gjithëpërfshirëse ndaj të gjithë njerëzve që përqafojnë paqen anembanë botës. Ju gjithashtu duhet të keni parasysh se popullsia e Kosovës është shumë e re dhe ka nevojë për arsim të mirë, qasje në shkencë dhe e lidhje me kulturën botërore”.