Lajme Shqip Tuesday, 25 December 2012 18:52

TIRANE – Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në vendin tonë festojnë sot Krishtlindjen, festën më të madhe dhe më të rëndësishme të krishterimit. Lindja e Jezu Krishtit kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. 

Meshat kanë nisur në mesnatë në mjaft qytete të vendit, ku besimtarët e krishterë i janë bashkuar festës së madhe, kremtimit të lindjes së Krishtit. Me qirinj në duar dhe duke u lutur për paqe dhe qetësi, dashuri dhe gëzim besimtarët kanë kryer ritet fetare, në një atmosferë festive. 

Ceremonia kryesore është zhvilluar në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku kanë qenë të pranishëm krahas qytetarëve të shumtë edhe personalitete të lartë të politikës, kulturës dhe artit.

Imzot Rrok Mirdita drejtoi meshën duke u uruar të pranishmëve e besimtarëve shumë dashuri dhe paqe. Mesha nisi me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla.

Ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të ditës së sotme, besimtarët ortodoksë kanë nisur meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Besimtarët ortodoks janë lutur në emër të Krishtit.

Edhe gjatë ditës janë zhvilluar të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit dhe të politikës kanë zhvilluar vizita në Katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse për të përcjellë urimet e tyre për të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë.

Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Biblës, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August. Lindja e Jezu Krishtit kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. 

Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës.

Berisha: Krishtlindja e ardhshme të na gjejë më të bashkuar
Ora 14:15 –
Pas vizitës në Kishën Katolike, kryeministri Berisha uroi që Krishtlindja e ardhshme të na gjejë më të begatë, më të bashkuar dhe më pranë ëndrrës evropiane. Shefi i qeverisë e cilësoi këtë ditë, si ditën e shpresës së pashuar.

“Asgjë nuk është më frymëzuese, më shpresëdhënëse se lindja, e aq më tepër kur kjo ditë lidhet me lindjen e Krishtit. Këtë Krishtlindje e kremtojmë në 100-vjetorin e pavarësisë. 100 vjet sakrifica, por të bashkuar. Këtë Krishtlindje e kremtojmë, pasi përjetuam një moment që pritej prej një shekulli, një moment në të cilin shqiptarët vërshuan nga të 4 anët e trojeve shqiptare, nga të 4 anët e planetit, për të shuar mallin e tyre për njëri-tjetrin, kombin, dheun e tyre. Ky ishte një pelegrinazh drejt tokës se tyre i pritur prej vitesh. Edhe njëherë gëzuar të gjithë shqiptarëve këtë ditë të bekuar.”- u shpreh Berisha.

Meta: Më shumë mbarësi për ata që jetojnë në vështirësi
Ora 13:36
– Lideri i LSI-së, Ilir Meta, uroi Krishtlindjen për të gjithë besimtarët nga Kisha Ortodokse Autoqefale. Meta uroi për më tepër mbarësi, kryesisht për ata që jetojnë në situata të vështira.

“Më shumë mbarësi në familjet e tyre, në mbarë shoqërinë dhe vendin tonë dhe mënyrë të veçantë të sjellë më shumë shpresë, besim dhe kurajo për ata që jetojnë në situata të vështira.”- u shpreh Meta.

Rama: Rilindje përtej cdo përkatësie politike
Ora 12:40- Kryesocialisti Rama ka uruar festën e Krishtlindjes nga qyteti i Korçës, ku së bashku me bashkëshorten vizituan selinë e Mitropolisë. 

Kryesocialisti u shpreh se për qytetarët është e domosdoshme rilindja përtej cdo përkatësie politike. 

“Uroj të gjithë shqiptarët që ditët që do të vijnë të jenë ditët e plotësimit të ëndrrave të tyre. Ne besojmë në një rilindje dhe të gjithë e dini që kjo është e domosdoshme për të gjitha shtresat dhe për të gjitha moshat si për të moshuarit ashtu edhe për të rinjtë” theksoi Rama.

“Ne besojmë në rilindje, është një rilindje e domosdoshme përtej çdo e përkatësie politike”, tha ai, ndërsa shtoi se vitet që vijnë sjellin mundësi punësimi dhe solidariteti”.

Papa Benedikti uron në gjuhën shqipe: Për shumë vjet Krishtlindjen!
Ora 12:18 –
Papa Benedikti XVI u ka uruar besimtarëve katolikë në mbarë botën festën e Krishtlindjes. Papa ka dhënë sot mesazhin e urimeve ne 65 gjuhë të Botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. “Për shumë vjet Krishtlindjen!”, ndërkohë që sheshi u përfshi nga pasthirrma gëzimi dhe duartrokitje.

Në meshën e njohur si ‘Urbi et Orbi” të zhvilluar në sheshin Shën Pjetër në Vatikan, Papa Benedikti ka lëshuar mesazhe për paqen, shpresën dhe humanizmin. Në mesazhin e tij Papa Benedikti XVI bëri apel që të ndalet gjakderdhja në Siri, duke uruar që konflikti të zgjidhet sa më shpejt përmes dialogut. 

“Paqe për popullin sirian, thellësisht të lënduar nga një konflikt, që nuk kursen as personat e pambrojtur, viktima të pafajshëm. Bëj thirrje që të ndalet gjakderdhja dhe që përmes dialogut të gjendet një zgjidhje politike për konfliktin”, -u shpreh Papa.

Mijëra persona u mblodhën sot në Vatikan për të dëgjuar fjalimin, që u mbajt pas meshës se Krishtlindjes. 

Basha: Shpirti i kësaj feste sjelltë më shumë paqe
Ora 12:15 –
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha uroi që Krishtlindja sjelltë më shumë paqe e mbarësi për të gjithë shqiptarët.

“Dua t’ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, të gjithë shqiptarëve gëzuar Krishtlindjen. Shpirti i kësaj feste sjelltë më shumë paqe, dashuri e mbarësi në zemrat e çdo shqiptari, në çdo vatër shqiptare dhe anembanë trojeve tona.”- u shpreh Basha.

Topalli: Uroj të gjithë shqiptarët, festat i kemi të përbashkëta
 Ora 12:10-
Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka uror sot të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes, pas vizitës që zhvilloi në Kishtn Autoqefale Ortodokse.
“Është një moment gëzimi, reflektimi, një moment ku të gjihë duhet të përcjellin dashuri dhe paqe. Sepse ky ishte qëllimi i atij që quhej prijësi i paqes që erdhi në tokë mbi 2 mijë vite më parë, për të sjell paqen, për t`i hequr mëkatet e tyre dhe për të qënë në shekuj shërbyesi i njerëzimit, tha Topalli.

Ajo nuk nguroi të urojë edhe të gjithë shqiptarët, duke thënë se, “Uroj të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, të cdo besimi, se ne festat i kemi të përbashkëta”. 

Klosi: Rilindje të shpresës për gjithë shqiptarët
Ora 12:05-
Një grup deputetësh të Partisë Socialiste uruan pas vizitës në Kishën Autoqefale Ortodokse, festën e Krishtlindjes për të gjithë shqiptarët. Deputeti Blendi Klosi uroi që shpresa të rilindë për çdo shqiptar që vuan sot.

“Ne Partia Socialiste e Shqipërisë urojmë të gjithë shqiptarët për rilindje të shpresës. Për të gjithë ata që festat i gjetëm lista nëpër dyqane, për ata që vuajnë varfërinë e nuk shkollojnë dot fëmijët, për ata që vuajnë padrejtësitë në pronat e bizneset e tyre, për të gjithë ata shqiptarë që duan të punojnë e të fitojnë nëpërmjet punës së tyre të ndershme.

Topi: Kjo ditë qoftë e bekuar për Shqipërinë dhe shqiptarët
Ora 12:00 –
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi ka zgjedhur selinë e Mitropolisë së shenjtë në Korçë, për tu uruar Krishtlindjen të gjithë besimtarëve. Ish-presidenti Topi uroi që kjo ditë të jetë e bekuar për Shqipërinë dhe shqiptarët. 

“Krishtlindja nuk festohet vetëm në Tiranë dhe Korça është vendi më i mirë për këtë ditë. Qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët” – theksoi Topi.

Nishani: Të tejkalojmë pengesat artificiale, bashkë në rrugën e përparimit
Ora 09:18- Presidenti i Republikës,  Bujar Nishani, u uron sot të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë festën e Krishtlindjes. 

“Është një kënaqësi e veçantë, që me rastin e Festës së Krishtlindjes, t’ju shpreh urimet më të mira e të përzemërta kudo ku jetoni dhe punoni! Kjo ditë e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ditën e lindjes së Krishtit dhe të forcimit të besimit në Zot, rilind në zemrat e mbarë besimtarëve përjetime të gëzimit dhe të shpresës për të ardhmen, ku të gjithë, me dëshirë e besim, bashkohemi në qëllimet më fisnike e në vlerat më të larta njerëzore. Për Krishtlindjen urojmë sot njëri-tjetrin, familjarët, të afërmit, miqtë dhe ashtu sikundër e kemi trashëguar brez pas brezi ne shqiptarët, kremtojmë të gjithë së bashku në një vatër, në një sofër, në paqe e mirësi”, thuhet në mesazhin e tij. 

“Tradita e vyer historike dhe kulturore e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, pasuri shumëshekullore e brezave të njëpasnjëshëm në këtë vend, na mëson të mbështetemi tek mirëkuptimi, besimi, bashkëpunimi dhe ndjenja e solidaritetit me njëri-tjetrin si mënyra e vetme për të ecur të sigurt drejt prosperitetit, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi parime të lirisë e të së drejtës dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, thuhet më tej në mesazhin e tij. 

Kremtimi i Krishtlindjes sipas Presidentit është një tjetër mundësi për të forcuar lidhjet tona shumëshekullore, në mënyrë që të përballojmë me sukses sfidat që kemi përpara si shoqëri dhe si komb. 

“Këtë Krishtlindje e festojmë në një moment të veçantë për kombin tonë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj le të tejkalojmë çdo pengesë artificiale dhe të bashkojmë të gjitha energjitë për të ecur bashkarisht në rrugën e përparimit dhe begatisë njerëzore. Zoti qoftë me ne shqiptarët në këtë rrugë! Gëzuar Krishtlindjen! Lumturia familjare, shëndeti i plotë dhe begatia mbizotërofshin në shtëpitë tuaja!”,uron ai.

Krishtlindjet, festë kolektive, por jo e të gjitha shtëpive
Ora 07:10- Nata e bekuar e lindjes së mëshiruesit të paqes dhe idhullit të botës, birit të Perëndisë do të përkujtohet sonte duke u gdhirë e dielë në të gjithë Shqipërinë.
25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore, edhe në Shqipëri, mbas viteve ’90-të kur u lejua besimi fetar, krijoi traditën e saj duke u shënuar krahas festave të tjera tradicionale në kalendarin e vitit.

E para që e ndien atmosferën festive të kësaj feste mijëravjeçare në Shqipëri, është Tirana. Dhe siç është bërë tashmë traditë mijëra besimtarë të krishterë dhe katolikë të Tiranës do të jenë gjatë natës të së hënës në kishat ortodokse dhe katolike për të përkujtuar me madhështi dhe devocion, lindjen e Krishtit dhe për t’u lutur për atë.

Me qirinj të drejtuar nga qielli, duke u lutur për paqe dhe qetësi , dashuri dhe gëzim besimtarët do të kryejnë ritet fetare, rreth mesnatës në një atmosferë festive. Por megjithëse e respektojnë, jo të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë i kremtojnë Krishtlindjet në shtëpitë e tyre pavarësisht se në reklama, televizione, në urime, dhe kudo, atmosfera e kësaj feste të jep përshtypjen e një feste kolektive.
Ndërkohë atmosfera universale që ka kjo festë në botë, gjithsesi të josh për të menduar për Krishtlindjet. Sapo afron fundi i vitit, në të gjitha televizionet shfaqen reklama që lidhen me “dëborën”, “zilet e plakut të Krishtlindjeve apo siç quhet Plaku i Vitit të Ri”, “dhuratat”, dhe në fund me fjalën “Urime”, natyrisht në një ambient që tregon festime.

Kështu Krishtlindjet natyrshëm shndërrohen në një festë kolektive, vetëm në urime dhe në atmosferën përreth, por jo brenda të gjitha shtëpive.
Reklamat dhe tregtarët synojnë të shesin mallin, njerëzit të prirur ndaj tendencës kolektive për të kremtuar një festë kuptimin e së cilës jo të gjithë e konceptojnë siç duhet, janë “peshqit” që kapen kollaj në fund të çdo viti, nga grepat e tregtarëve. Të festosh një festë është shumë bukur, por kur e feston atë pa ia ditur kuptimin, është diçka pa shumë vlerë, veç faktit që shndërrohet çdo vit në të njëjtën kohë me një ritualitet perfekt, në një festë konsumi…
Besimtarët ortodoks, katolikë dhe protestantë (këta të fundit tashmë i gjen mjaft të organizuar në shoqërinë shqiptare), janë ata që me të vërtetë janë të përkushtuar ndaj besimit të tyre, priren të jenë më aktivë gjatë Krishtlindjeve.
Krishti lindi në një ambient shumë të varfër. Gjatë gjithë kohës një yll shndriste në qiell, i cili u tregonte disa dijetarëve rrugën që duhet të ndiqnin për t’i bërë homazhe “Mbretit të Izraelit”. Pas kësaj, Herodi mbreti i Izraelit, (ai i organizimit shtetëror, politik i Izraelit, jo mbreti shpirtëror), vendosi të përndiqte këtë “Mbret të ri”…
Këto pjesë të një historie që vazhdon të tregohet sa herë që vjen koha e Krishtlindjeve në festa, koncerte apo filma, dhe shfaqje të tjera, kanë në vetvete secila një mesazh. Ambienti i varfër: tregon thjeshtësinë e Jezu Krishtit, i cili edhe pse Zot, preferoi të ishte sa më afër njerëzve, larg pompozitetit, luksit, etj. Ylli: tregon një profeci të vjetër për një homazh që nuk mund të kuptohet nga njerëzit. Dijetarët që ndiqnin yllin kishin me vete dhuratat më të shtrenjta për atë kohë, ar, temjan, dhe vajra të shtrenjta. Në fund, gjithçka përmblidhet në një mallkim (!) Sipas shkrimeve të Biblës, në momentin e mëkatit të parë, Zoti mallkoi njëherazi femrën (Evën), mashkullin (Adamin) dhe gjarprin (Djallin). Mallkimi për gjarprin ishte: Një pasardhës njeri i gruas (Evës, asaj që ai kishte mashtruar më parë), do të lindë, edhe pse ti do duash ta vrasësh, dhe do të të shtypë kokën. Në shkencën e Teologjisë, ky mallkim ka një kuptim të thjeshtë. Njeriu, pasardhës i Evës, ishte Jezu Krishti, i cili erdhi si njeri në Tokë për të pajtuar njerëzit me Zotin pas mëkateve të tyre. Do të vdiste në kryq, dhe kështu njerëzit do të pajtoheshin me Zotin. Pas kësaj ai (djalli) nuk do të kishte më fuqi ndaj tyre (njerëzve), sepse ata mund të shpëtoheshin nëpërmjet gjakut të Jezusit (duke e pranuar vdekjen e tij).
Gjithsesi Krishtlindjet nuk hynë në popull si një festë e krishterë, pasi ato si të tilla janë festuar shumë më vonë (në shekullin e katërt), kur perandori Kostandin e dekretoi kristianizmin si fe zyrtare të Romës.
Romakët nga ana tjetër në këtë periudhë të vitit festonin Saturnalet, një festë pagane për nder të Hyut Saturn, zoti i agrikulturës. Kjo ishte një periudhë në të cilën jetohej në paqe, shkëmbeheshin dhurata dhe nuk merreshin parasysh ndarjet sociale. Para se të nisnin të festoheshin Krishtlindjet në vendet e Perandorisë Romake festoheshin gjerësisht festat pagane, dhe në këtë periudhë të vitit festohej festa e Diellit, hyjnisë së Dritës Mitra, ndërsa si periudhë përkonte me solsticin e dimrit, pra ditën më të shkurtër të vitit, pas së cilës dita do të niste të merrte orë nga nata.
Edhe tradita e dritave të Krishtlindjeve mendohet të ketë një prejardhje pagane. Zanafilla e saj haset për herë të parë, kur Perandori Aurelian vendosi që të festohej dita e diellit, festime të cilat zgjasnin 12 ditë, duke filluar nga data 25, gjatë të cilave do të digjej një pishtar.
Mënyra e festimit të Krishtlindjeve sot e ka origjinën nga festat borgjeze të shekullit të kaluar në të cilat përdoreshin krahas simboleve të krishtere edhe ato pagane. Darka e Krishtlindjeve e cila është e bollshme, paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës. Si simbole të këtyre festave njihet prezepeja (simbolikisht stalla ku lindi Jezu Krishti) dhe pema e vitit të Ri, e cila zbukurohet me sende dhe dhurata nga më të ndryshmet. Festimet vazhdojnë deri në ditën e fundit të vitit dhe me nisjen e Vitit të Ri festohet një tjetër festë, ajo e Epifanisë (6 janar), gjatë të cilës vendet e lindjes festonin ditën e pagëzimit të Krishtit.
Që këtej e ka origjinën edhe figura e shtrigës së mirë Befanës, e cila e hipur mbi një fshesë u shpërndan dhurata fëmijëve në të gjithë botën.(B.W/LajmeShqip.com)