Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 09:37

Prishtinë-Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka deklaruar se për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duhet të përdoret edhe forca. Ai ka thënë se Rezoluta e miratuar në Kuvend, e cila kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, ka kryer vetëm punën e Kuvendit, ndërkaq për pengimin e tyre duhet të merren edhe BE e SHBA.

“Rezoluta është bërë në marrëveshje me subjektet politike. Kuvendi e ka kryer obligimin e tij dhe është pjesa tjetër e ekzekutivit që duhet të ndërmarrë masat për pengimin e zgjedhjeve serbe në atë pjesë të Kosovës. Por, pasi që bisedimet mes Prishtinës e Beogradit deri më tash janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një formë ose në një tjetër, janë të obliguar edhe Brukseli edhe SHBA-të që të bëjnë një presion pozitiv mbi Serbinë që të respektojë marrëveshjet e arritura”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për RTV21.

I pyetur nëse kjo Rezolutë e Kuvendit e obligon Qeverinë e Kosovës që të përdorë edhe forcën për të ndaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Krasniqi ka thënë se edhe kjo gjë parashihet në të.

“Rezoluta e obligon qeverinë që të pengojë çdo veprim të paligjshëm që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet në Kosovë. Natyrisht se kjo nënkupton edhe përdorimin e forcës”, ka theksuar Krasniqi.