Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 13:46

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në vazhdim të vizitës në Hungari, u prit sot nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë,  László Kövér, i cili konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për shtetin e ri të Kosovës. Ai e konsideroi vizitën e Krasniqit historike edhe për faktin se ky është takimi i parë i nivelit të lartë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, bëri të ditur zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Prioritet i presidencës hungareze të Bashkimit Evropian, tha ai, është integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor. Ai u shpreh i kënaqur me nivelin e marrëdhënieve shumë të mira midis Hungarisë dhe Kosovës. 
Nga ana e tij Krasniqi çmoi lart rolin e presidencës hungareze të Bashkimit Evropian, duke besuar fuqishëm për kontributin e saj në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe të Kosovës në veçanti. Në mënyrë të posaçme, u theksua nevoja e ndihmës për Kosovën në drejtim të liberalizimit të vizave dhe më pastaj të integrimit euroatlantik. 
Të dy kryeparlamentarët u shprehën dakord për nënshkrimin së shpejti të një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy parlamenteve. 
Në këto takime u diskutuan edhe çështje të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ndërparlamentar. Krasniqi e ftoi kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. 
Delegacioni i Kuvendit u prit sot edhe nga sekretari i Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, z. Zsolt Németh, Richárd Hörcsik, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, kurse në orët e pasdites do të takohet me z. Zoltan Toth, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Evropës Qendrore për Zgjedhje, dhe nesër, me Apostolin e Vatikanit në Budapest, Shkëlqesinë Juliusz Janusz.