Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 21:02

Prishtinë – Kosova kërkon konkretizim të perspektivës evropiane, tha kryeparlamentari kosovar Jakup Krasniqi, në një takim që zhvilloi sot me anëtarët e Komisionit Parlamentar Holandez për Çështje Evropiane, kryesuar nga Gerda Verburg.

“Po thuhet se Kosova ka perspektivë evropiane, por Kosova dëshiron që kjo perspektivë të jetë konkrete, përkatësisht e prekshme”, theksoi Krasniqi.

Sa i përket detyrave më prioritare të institucioneve të Kosovës, ai përmendi nevojën e sundimit të ligjit në mbarë vendin, domosdoshmërinë e një zhvillimi më të hovshëm ekonomik dhe reformë më të thellë në sistemin gjyqësor në luftë kundër korrupsionit, sidomos në veri të Kosovës.

Në këtë frymë kryetari i Kuvendit tha se, në veri nuk sundon ligji. “Megjithëse atje vepron edhe EULEX-I, nuk shihet ndonjë progres. Megjithë këtë, situata në vend është mjaft stabile”, tha ai.

Delegacioni parlamentar nga Holanda, i cili shoqërohej nga ambasadori Robert Bosch, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, pati takim edhe me Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, si dhe me me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, ndërsa pritet në takim edhe nga Presidentja e Republikës.