Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 11:44

Prishtinë – Me ftesë të kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Republikës së Hungarisë, László Kövér, mbrëmë arriti në një vizitë miqësore në Budapest delegacioni parlamentar i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, zoti Jakup Krasniqi.

Në përbërje të delegacionit janë edhe Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ismet Beqiri, kryetar i Grupit  Parlamentar të LDK-së, Mehmet Hajrizi, shef i kabinetit dhe Skënder Reçica, këshilltar i kryetarit për protokoll dhe marrëdhënie të jashtme.

Delegacioni u prit në Aeroportin e Budapestit nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Mihály Balla, kurse në orët e mbrëmjes vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Budapest, me ç’rast u prit nga ambasadorja, Shkëndije Sherifi.

Gjatë ditës së sotme delegacioni do të pritet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Hungarisë dhe personalitete të tjera shtetërore.