Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 16:45

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi kërkoi sot që për marrëveshjen e mundshme me Serbinë për menaxhimin e  integruar të kufirit të deklarohet Kuvendi. Ai tha se kjo çështja e kufirit e tejkalon rezolutën e Kuvendit për bisedimet teknike me Serbinë, por edhe Kushtetutën.

Jakup Krasniqi, thotë se për të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me kufijtë e Kosovës, ratifikimi duhet të bëhet në Kuvend. Sipas tij këto çështje janë të përcaktuara me Kushtetutë duke kërkuar që secili institucion ta respektoj Kushtetutën.

Krasniqi bëri këto komente duke folur për paralajmërimin se në Bruksel do të mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë për menaxhimin e integruar të kufijve, sipas propozimit të BE-së. Por kryekuvendari Krasniqi thotë se ajo tejkalon kornizën e bisedimeve teknike e cila është mbështetur dhe përcaktuar me rezolutën e Kuvendit.

 

####

E ndërsa shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se kjo temë është diskutuar edhe në takimin me ndërmjetësin Kuper, i cili ishte të premten e javës që shkoi në Prishtinë. Ajo thotë se menaxhimi i integruar i kufirit nuk nënkupton qeverisjen e kufijve.

Tahiri thotë se ideja për menaxhimin e integruar të kufijve është e Bashkimit Evropian dhe jo e Serbisë. Ajo thotë se këtë ide që moti e kishte përkrahur kryeministri Thaçi. Kryenegociatorja Tahiri, insiston se Kosova nuk ka pranuar që në dialogun teknik të bisedohet për menaxhimin  pikave kufitare 1 dhe 31, pasi ato prekin sovranitetin e Republikës së Kosovës.