Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 19:50

Stamboll – Kosova pret të njohje nga vendet myslimane në Afrikë dhe në Azi, përfshirë edhe vendet e prekura nga Pranvera Arabe, ka theksuar për mediat turke, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kryeparlamentari kosovar Krasniqi javën e kaluar ishte në një vizitë në Turqi, ku kishte takime edhe me Kryeministrin Rexhep Tayip Erdogan, si dhe Kryetarin e Parlamentit turk, Çemil Çiçek. Në një intervistë për ditoren turke Hurriyet Daily News, ai ka thënë se Turqia është një nga shtetet që i ka dhënë mbështetjen më të madhe Kosovës.

“Ne jemi duke biseduar me shtetet myslimane, si Pakistani, Indonezia dhe Bangladeshi; vendet afrikane dhe vendet që kanë kaluar nëpër Pranverë Arabe, si dhe me vendet e Amerikës së Jugut”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se Kosova ka marrë nga BE-ja premtimet për liberalizim e vizave. Kryeparlamentari ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë zbutur ende, për shkak të rezistencës së palës serbe për të ndërtuar marrëdhënie me Kosovën.

Krasniqi ka theksuar gjithashtu se ka mundësi të mëdha dhe të reja në Kosovë për biznesmenët turq, dhe se Kosova pret që ata të bëjmë më shumë investime në Kosovë. (LajmeShqip.com)