Lajme Shqip Tuesday, 08 September 2015 13:19

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se mendimi i anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje nuk duhet të vlerësohet si një mëkat

Sipas Krasniqit, idetë e kundërta i dhënë shpirt e jetë demokracisë dhe i shpien proceset përpara shoqërore e ekonomike.

Jakup Krasniqi, gjithashtu, ka shtruar edhe disa “pyetje” për pozitën e opozitën.

“Opozita duhet të çlirohet nga egoizmi, ajo duhet të bashkoj çdo ide, mendim e veprim opozitar me parti e pa parti. Ndryshimi, zhvillimi, qeverisja e mirë dhe shteti i se drejtës duhet të jenë qëllimi, nëse opozita donë t’i shërbej publikut dhe Republikës”.

Ja shkrimi i plotë i Krasniqit:

OPOZITA E BASHKUAR DUHET TË REFLEKTOJ BESIM PËR NDRYSHIM

Dje ndoshta shoqëria jonë u mur shumë për një mendim ndryshe në subjektin politik të VV-së, thua se individi është mëkat të ketë mendim disonant nga partia e tij edhe kur mund mos t’ia qëlloj?! Duke harruar se idetë e kundërta i dhënë shpirt e jetë demokracisë dhe i shpien përpare proceset shoqërore e ekonomike. Heshtja e servilizmi të gjithë e pamë se ku të shpie!

Mos të harrojmë se shoqëria është demokratike aty ku ka:

– Sundim të ligjit,

– Ekonomi konkurrente,

– Tregti të lirë,

– Ndarje te pushteteve,

– Liri individuale të njeriut e të grupeve etnike,

– Media të lira, profesionale e oponente ndaj pushtetit,

– Mendim e ide konkurrente, pa kornizat partiake, ku dikush nga opozita mund edhe të mos pajtohet me veprimin opozitar për heqjen e rrethojave dyfishta! Të cilën gjë edhe e quan “pasqyrë jo e mirë”?! Për ketë opozitar, grilat e dyfishta janë “demokratike” dhe pasqyrë e “shkëlqyer”?!

– Është interesant, pse dikush nga pozita, nuk pat mendim të lirë dhe guxim intelektual për të thënë: Rrethojat mbi rrethoja nuk është pasqyrë e mirë as për shqiptarët e as për demokracinë tonë të brishtë e as për shtetin?! Nuk tha se me ato grila mbi grila, ndërtesa e qeverisë po ngjason me kopshtin zoologjik?! Nuk thanë: mos e keqpërdorni policinë e gjyqësorin për të përndjekur opozitën?! Pse kaq shumë frikë për të thënë të vërtetën?

– Pse dikush nga pozita nuk tha:

Ku u treten gati 10.000 km2? Pse lejuat sovranitetin e dyfishtë në Kosovë? Po Zajednica? Pse me bisedime po e bëni Serbinë hisedarë në pasurinë e Kosovës? E të ngjashme. Ndoshta pse pozita duhet jetë unike edhe kur dëmtohet rëndë sovraniteti i shtetit?! Qeveritarët tanë i dhanë impulse Serbisë në drejtim te integrimeve?! Kosovës ia lan getoizimin. Ajo nuk mori asnjë infuzion?!

– Pse pozita duhet të jetë kaq unike? Përgjigja mund të jetë: Pse mendimi, besa edhe veprimi për shkak te interesave “private te qeveritarëve” duhet të kenë mendim uniformë!

– Pse opozita është kaq e çakorduar?

Përgjigja: Pse debati ende nuk është vërë në shërbim te ndryshimit te qeverisjes e të shtetit të se drejtës, por në shërbim te liderizmit jo serioz?! Opozita duhet të çlirohet nga egoizmi, ajo duhet të bashkoj çdo ide, mendim e veprim opozitar me parti e pa parti. Ndryshimi, zhvillimi, qeverisja e mirë dhe shteti i se drejtës duhet të jenë qëllimi , nëse opozita donë t’i shërbej publikut dhe Republikës.