Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 17:18

Prishtinë – Kryeparlamentari Krasniqi u takua me kryetaren e Parlamentit të Mbretërisë së Holandës, Gerdi Verbeet dhe Komisionin për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë dhe ambasadori ynë në Holandë, Nexhmi Rexhepi, u prit sot në një takim të ngrohtë dhe miqësor, nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Holandës, znj. Gerdi Verbeet dhe në një takim të veçantë nga Komisioni për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme, të cilin e kryesonte z. Van Bonmel.

Në këto takime, kryetari Krasniqi falënderoi zyrtarët holandezë për kontributet që shteti i tyre ka dhënë për Kosovën, që nga angazhimet e tij në forcat ndërhyrëse të NATO-s, të KFOR-it e të EULEX-it, për njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës dhe për mbrojtjen e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, konstatoi që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës janë të shkëlqyeshme.

Ai i njoftoi mikpritësist me situatën e brendshme në Kosovë, për stabilitetin e saj politik, zgjedhjet, konsolidimin e institucioneve demokratike, ndërtimin e shtetit ligjor, mbrojtjen të drejtave të pakicave dhe për problemet që ka Kosova në veriun e saj. Kreu i Kuvendit foli gjithashtu edhe për fqinjësinë e mirë më shtetet fqinje, përveç me Serbinë, e cila, sipas Krasniqit, ende nuk është e gatshme që të vendosë marrëdhënie me Kosovën. Ai foli edhe për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe në mënyrë të veçantë ndërmjet dy parlamenteve, kryetari Krasniqi shprehu nevojën e shpeshtimit të kontakteve dhe thellimin e marrëdhënieve ndërparlamentare. Pasi konstatoi se në Kosovë ka mbi dyzet biznese holandeze, si në tregti, prodhim, shërbime etj., e paraqiti edhe nevojën e shtimit të investimeve holandeze në Kosovë, ku po krijohet kushte të favorshme për investimet e huaja. Ai parashtroi nevojën e nënshkrimit të marrëveshjeve, edhe të atyre të trashëguara nga ish-Jugosllavia, si për tregti, transport, shërbime ajrore, kulturë, sigurim social, anulim të taksave të dyfishta, marrëveshjen për riatdhesim (që hyn në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave) etj.