Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 17:30

Prishtinë – Kryeparlamentari Jakup Krasniqi i është përgjigjur kërkesës së EULEX-it për heqjen e imunitetit të disa deputetëve. Në letrën me përgjigje për shefin e misionit, Ksavier Bot De Marnak, kreu i legjislativit ka thënë se qeveria mund të kërkojë vetë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi u është përgjigjur kërkesave të misionit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, për fillimin e procedurave për heqjen e imunitetit të disa deputetëve, ndaj të cilëve po zhvillohen hetime. Përmes letrës, Krasniqi i ka thënë shefit të EULEX-it se nuk është përgjegjësi e Kuvendit që të merret me çështjen e imunitetit dhe se duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Qeveria vetë mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

“Në rastin konkret, do të ishte normale që Qeveria, e cila ka shprehur interes për një rezolutë të tillë, ta paraqesë këtë iniciativë në Kuvend dhe Kryesia e Kuvendit do ta trajtojë atë sipas rregullores së Kuvendit”, thuhet mes tjerash në letrën e Krasniqit, të cituar nga agjencia e lajmeve Kosovapress.

Në këtë letër Krasniqi thekson se nuk ka nevojë të miratohet një rezolutë, kur Qeveria me Kushtetutë i ka të përcaktuara të drejtat e saja në këtë drejtim.

“Është shqetësuese të vërejmë që Qeveria kërkon një akt jodetyrues si rezoluta që të ushtrojë një funksion të saj kushtetues. Nëse do të ishte nevoja pwr një rezolutë të Kuvendit për ta vënë në lëvizje Qeverinë që kjo e fundit ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuta do ta kishte përcaktuar një gjë të tillë. Për mendimin tonë, një rezolutë e tillë do të ishte në vetvete një akt antikushtetues, sepse do të shkelte të drejtën e Qeverisë për ta përdorur paragrafin 10 të nenit 93 në lirinë dhe diskrecionin e saj të plotë”, thuhet në letër.

Anëtari i kryesisë nga vetëvendosja, Glauk Konjufca theksoi se kjo letër e Krasniqit është diskutuar në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.