Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 15:44

Prekaz – Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka vizituar sot Kompleksin Memorial ”Adem Jashari” në Prekaz dhe ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.

Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi tha se zhvillimet e fundshekullit të kaluar në Kosovë, janë rezultat i përpjekjeve 100-vjeçare të gjeneratave të ndryshme, sukses ky i sublimuar falë formimit të lëvizjes kulmore ushtarake çlirimtare të popullit shqiptar, të udhëhequr nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari.

Kryetari Krasniqi tha se i gjithë kombi shqiptar, e në mënyrë të veçantë pjesa e shqiptarëve të Kosovës, po e feston 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, edhe falë kësaj sakrifice të madhe që është bërë në këto troje, për lirinë e të gjithë shqiptarëve të kësaj hapësire, e jo vetëm të saj. Prandaj, shtoi Krasniqi, kjo është një ngjarje që na bën të ndihemi krenarë për lavdinë e brezave.

“Vijmë këtu për t’i nderuar, për t’i kujtuar dhe për t’i falënderuar ata që na mundësuan që 100-vjetorin e pavarësisë ta festojmë të lirë, të pavarur dhe sovran në trojet tona”, u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Pas homazheve, kryetari Krasniqi vizitoi edhe familjen Jashari, ku u prit nga kryefamiljari i saj, Rifat Jashari.

Kryetari i Kuvendit, gjithashtu, mori pjesë edhe në manifestimin që u organizua me rastin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.(K.P)