Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 15:56

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ), regjistroi sot zyrtarisht dy kandidatët për bashkinë e Tiranës,Lulzim Bashën i Partisë Demokratike,që kryeson koalicionin e djathtë “Aleanca për Qytetarin” dhe kandidatin e Partisë Socialiste, Edi Rama, kryesues i koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen”, njëherazi kryetar aktual i bashkisë së kryeqytetit, që do të konkurojnë në zgjedhjet vendore të 8 majit.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur në KQZ pak ditë më parë nga dy kandidatët, Komisioni vendosi sot regjistrimin e tyre për garën elektorale të 8 majit.

Në mbledhjen e sotme, KQZ miratoi gjithashtu dhe listën shumemërore të kandidatëve për këshillin e Bashkisë në Tiranë të paraqitur nga Partia Aleanca Ekologjike Europiane, atë të paraqitur nga Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, si dhe të Lëvizja Socialiste për Integrim, tre subjekte, pjesë e koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin”.

Gjithashtu, pjesë e vendimmarrjes së sotme të KQZ-së ishte dhe miratimi i listave shumemërore të kandidatëve për këshillin bashkiak të Tiranës të paraqitur nga Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar dhe nga Partia Demokristiane e Shqipërisë, dy forca politike që i përkasin koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.