Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 13:35

Tiranë-Vlerësimi i fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara duhet të rregullohet në Kodin Zgjedhor. Është ky rekomandimi i përfshirë në raportin vjetor që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të paraqesë javën e ardhshme në Kuvend, lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit zgjedhor 2011.

Raporti, i miratuar të premten nga KQZ vetëm me votat e maxhorancës, një nga pikat më të rëndësishme të tij ka çështjen e debatueshme të fletëve të hedhura gabim dhe të numëruara nga KQZ në zgjedhjet e kryeqytetit.

“Rekomandimi i bërë nga OSBE/ODIHR është se numërimi, vlerësimi dhe trajtimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor, duke adresuar nevojën e parashikimit dhe rregullimit në ligj të këtij problemi të evidentuar edhe në proceset zgjedhore pararendëse, por jo të fokusuar e shtruar për zgjidhje”, thuhet në raportin e KQZ-së.

Sipas tij, zgjedhjet e vitit të shkuar, përveç polemikave dhe politizimit, u vlerësuan nga OSBE/ODIHR. “Në raport, zgjedhjet e 8 majit 2011 vlerësohen nga arbitri ndërkombëtar si kompetitive dhe transparente. Kompetiviteti dhe transparenca e vlerësuar, si shtylla kryesore të ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve, janë vlerësime të çmuara për arritjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri”, citohet raporti i KQZ-së.

Një pikë e debatuar në zgjedhjet e 8 majit ishte dhe mospërputhja e numrit të votuesve dhe fletëve, që u cilësuan si të vlefshme.

“Gjatë këtij vlerësimi, meqenëse votat e hedhura në kutitë e gabuara ishin vlerësuar si të pavlefshme nga grupet e numërimit, KQZ pakësoi numrin e votave të pavlefshme në kutinë ku ato u gjetën dhe rriti numrin e votave të vlefshme, për aq sa u vlerësuan të tilla, në kutinë së cilës i përkisnin. Në këtë kuptim, ndryshoi ‘balanca’ që ishte më parë midis fletëve të votimit të gjetura në kuti dhe shumës së votave të vlefshme me ato të pavlefshme në kutinë e llojit përkatës dhe rrjedhimisht, në tabelën përmbledhëse”, sqarohet në raportin e KQZ-së.

Sipas këtij dokumenti, ankimimi i zgjedhjeve të Tiranës në Kolegjin Zgjedhor në të gjitha rastet i dha të drejtë KQZ në vendimet e saj. Referuar raportit, përfundimi i zgjedhjeve të 8 majit u shoqërua me 33 kallëzime në Kolegjin Zgjedhor. Sipas raportit të Komisionit Qendror Zgjedhor, në 24 raste KQZ-së i është dhënë e drejtë nga Kolegji Zgjedhor, ndërsa në 9 raste është kërkuar ndryshimi i vendimit në favor të palës paditëse.

“Në fazën para datës së zgjedhjeve, në KQZ u paraqitën nga subjektet zgjedhore gjithsej 58 kërkesa ankimore për mosregjistrimin në kohë si kandidat”, thuhet në raport. Raporti vjetor mbi punën e KQZ-së pritet të paraqitet në Kuvend në seancën plenare të së enjtes (1 mars).