Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 13:32

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thellon hetimin për Qarkun e Lezhës, vendos të hapë të gjitha kutitë dhe rinumërmin e fletëve të votimit. Vendimi është marrë me 4 vota pro nga anëtarët e KQZ-së ndërsa ky vendim është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision te cilet e cilesuan vendimin ‘cmenduri”. 
Saliani: “O të çmendur prisni të flasim ne”. 
Gjoncaj: Ju ka thënë PD që të prishin procesin. Do mbani përgjegjësi penale një ditë ju dhe koleget tuaja. Nuk ka njeri që ju shpëton. Ju premtoj në emër të PS që do hetoni për cdo vendimmarrje”. 
Vendimi i KQZ-së erdhi pas kërkesës së anëtarit të Komisionit, Klement Zguri, për hapjen e kutive dhe për verifikim të materialeve zgjedhore të të gjithë qarkun. Kjo kërkesë e tij vjen pas numërimit të votave në 10 kuti dhe konstatimit për manipulim të rezultatit në to. Sipas Zgurit, sistemi i numërimit të votave e ka humbur besimin, ndaj dhe lypset transparenca e procesit në këtë qark. 
“Kërkoj të hapim të gjitha kutitë e zonës zgjedhore Lezhë. Situata është kaq kompromentuese dhe e bën dramatike gjendjen në vendet e numërimit të votave, ku kemi një përfshirje të madhe të personave të administratës zgjedhore. Kërkesa ime synon të bëjë të mundur transparencën e kësaj situate”, u shpreh Zguri, raporton BallkanWeb. 
Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, Hysen Osmanaj, në mbështetje të kësaj kërkese, tha se hapja e 10 kutive në Lezhë dhe ndryshimi total i rezultatit në këto QV shtoi dyshimin se komisionerët kanë abuzuar në format më të këqija. “Kodi i ndryshuar zgjedhor i shtoi masat e dënimit në mënyrë të jashtëzakonshme për administratën që deformon ose pengon procesin. Hapja e kutive në Lezhë tregon se pavarësisht se janë shtuar masat përsëri administrata zgjedhore ka abuzuar me detyrën dhe e ka tjetërsuar rezultatin në Lezhë”, tha Osmanaj. 
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kundërshtuan duke kërkuar bazën ligjore të kësaj vendimmarrjeje. Ndërkaq, anëtarët e KQZ-së, sqaruan se nga hapja e 10 kutive të votimit u konstatua problematikë dhe tjetërsim i rezultatit. Nga kjo bazë insistuan ata duhet të kalohet tek hapja e të gjitha kutive të votimit të qarkut për të parë se çfarë ka ndodhur.
“Të bëjë transparencën përfundimtare për këtë proces. Të bëjmë transparencë të plotë, sipas bazës ligjore. Zgjidhja më e drejtë dhe të zgjerojmë hetimin në funksion të marrjes së rezultati të drejtë dhe zgjidhjes përfundimtare” tha Shtjefni. 
KQZ vendosi ngritjen e 8 grupeve të numërimit me nga 2 anëtare për rinumërimin e 257 kutive zgjedhore në Qarkun e Lezhës.