Lajme Shqip Thursday, 18 July 2013 11:52

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendosë të enjten për kërkesat ankimore të dy partive, PS dhe PD, pas administrimit dje të 16 kutive të qarkut Lezhë.

Në orët e vona të së mërkurës përfundoi në KQZ rinumërimi i votave i 10 kutive, që i përkasin qytetit të Lezhës, për të cilat PD kërkonte rivlerësim të tabelave të rezultateve të tyre, pasi mungonin tabelat origjinale.

Në mbyllje të rinumërimit rezultoi mospërputhje e votave, edhe mes atyre të raportuara nga grupet e numërimit në sistemin elektronik të KQZ-së për këto qendra, mbi bazën e të cilave u bë edhe ndarja e mandatit.

Nga ana tjetër, PS kërkonte pavlefshmëri në 6 qendra të votimit në këtë qark, pasi, sipas tyre, fletët e votimit ishin më të shumta në numër se sa ai i votuesve që kishin marrë pjesë në proces.

Vendimi i KQZ-së i 10 korrikut ndryshoi raportin e mandateve mes koalicioneve, 4 me 3, në favor të koalicionit të djathtë.