Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 08:56

Tiranë (PLOTËSUAR 12:27) -KQZ votoi me 7 vota pro asgjësimin e fletëve të votimit të 8 majit në datën 25 tetor. Ka patur debate mes anëtarëve për këtë vendim por në fund është rënë dakord për djegien e tyre.

Procesi do të zgjasë deri në 31 dhjetor dhe do të kushtojë 54 milionë lek të vjetra.

Tiranë (PLOTËSUAR 12:05) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nisi të hënën shqyrtimin e p/vendimit “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura për zgjedhjet vendore të 8 Majit”.

Akti i propozuar nga administrata e KQZ-së, është në zbatim të nenit 178, pika 5 dhe 6 të Kodit Zgjedhor. Ai përcakton pastrimin e kutive të materialeve zgjedhore, por edhe atyre të fletëve të votimit. Sipas draft-vendimit, KQZ pritet të vërë në dispozicion rreth 1 milion e 800 mijë lekë për këtë proces, që pritet të zgjasë 60 ditë.

Në fillim të mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, e kundërshtoi aktin, i cili, sipas tij, është i nxituar.

“Fletët e votimit nuk mund të digjen pasi ato janë objekt i kallëzimit penal që PS ka bërë në prokurorinë e Tiranës, për sa i takon rezultatit për kryeqytetin. Fletëvotimet janë prova e vetme që faktojnë manipulimin zgjedhor në bashkinë e Tiranës dhe ato nuk mund të asgjësohen pa u shprehur më parë Prokuroria për kallëzimin tonë”, tha Salianji.

*****************************

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet paraditen e sotme për të shqyrtuar projektvendimin “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura për zgjedhjet vendore të 8 Majit”.

Ky p/vendim përcakton pastrimin e kutive të materialeve zgjedhore, por edhe atyre të fletëve të votimit. Sipas draft-vendimit , KQZ pritet të vërë në dispozicion rreth 1 milion e 800 mijë lekë për këtë proces që pritet të zgjasë 60 ditë.

Por, përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste në KQZ e kanë konsideruar këtë akt si të parakohshëm përsa kohë në Prokurorinë e Tiranës ka një kallëzim penal të bërë nga ky subjekt politik, ku objekt hetimi janë fletët e votimit.