Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 14:00

Tiranë – Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shpalli sot fitues kandidatin e partisë MEGA, Ziso Lluci, në komunën Finiq të Delvinës,

KQZ-ja mori në shqyrtim kërkesën e MEGA-s për vlerësimin e fletëve të kontestuara dhe pas numërimit, kandidati i kësaj partie rezultoi me më shumë vota se kandidati i PBDNJ-së, Sokrat Spiro.

Kështu pas numërimit të dy qëndrave të votimit, atë numër 4631 dhe 4626 kandidati i MEGA-s, Ziso Lluci u shpall fitues i zgjedhjeve vendore në komunën Finiq të Delvinës.

Tabela përfundimtare e ndryshuar nuk mori dot kuorumin e votave, duke e çuar këtë rezultat  automatikisht në Kolegjin Zgjedhor.

“Fitorja nuk merret me hile, por duke numëruar drejt votat. Duhet të ishte e mira për të i uruar fitoren njëri-tjetrit”, u shpreh kreu i KQZ-së, Arben Ristani.

Po sot KQZ hodhi sot poshtë kërkesën e partisë PBDNJ për të shpallur të pavlefshëm zgjedhjet e pjesshme vendore në komunën Finiq të Delvinës.

KQZ-ja votoi me 4 vota pro rrëzimit të kërkesës së PBDNJ-së, për pavlefshmëri të zgjedhjeve të 31 korrikut, ku kandidati i saj Sokrat Spiro kishte fituar me një votë kundrejt Ziso Llucit të PBDNJ-së, në gjedhjet e pjesshme lokale të 31 korrikut.