Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 12:57

Debate të ashpra janë regjistruar në mbledhjen e KQZ-së të thirrur nga kryetari Arben Ristani për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Si nënkryetarja Dëshira Subashi ashtu edhe anëtari Artan Laze kanë marrë fjalën për të denoncuar ato që i qujanë si deformimet e ligjit gjatë administrimit të zgjedhjeve nga KQZ. Por gjatë kësaj kohe kryetari Ristani nuk i ka lejuar të vijojnë më tej duke i ftuar kolegët e tij që t’i përmbaheshin temës për të cilën ishte mbledhur KQZ.

Në këtë moment, dy anëtarët Subashi e Laze kanë vendosur të braktisin mbledhjen. Ndërkohë mazhoranca në KQZ miratoi vetëm me votat e saj, në këtë rast 4, rezultatin përfundimtarë të zgjedhjeve të 8 majit duke shënuar kështu zyrtarisht edhe nisjen e mandateve për të gjithë bashkiakët dhe komunarët në Shqipëri.

Në komentin e tij të shkurtër për këtë proces, kryetari Ristani citoi edhe njëherë raportin e OSBE-ODIHR-it sipas të cilit zgjedhjet lokale të 8 majit ishin “transparente dhe kompetitive”.