Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 07:24

Tiranë – Përfundoi numërimi i fletëve të votimit të komunës së Shalës, në Qarkun e Shkodrës, mbrëmë vonë në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë.

Pas numërimit të fletëve të votimit të të 5 qedrave të votimit të kësaj komune kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Bale Vuksani mori 644 vota, ndërsa rivali i tij i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Dedë Tonaj, 642 vota.

Procesi i numërimit për fletët e votimit të komunës Shalë,  nisi rreth orës 18.30 të mbasdites së të hënës në Tiranë, pas vendimit të marrë nga KQZ për shkak të bllokimit të këtij procesi në KZAZ-në nr.42 në Shkodër.

Për të tretën herë, sipas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror Zgjedhor, në këtë komunë, u zhvilluan të dielën zgjedhjet  për kryetarin e kësaj njësie zgjedhore.

Zgjedhjet e mbajtura më 8 maj në këtë komunë u shpallën të pavlefshme nga KQZ, i cili kërkoi përsëritjen e tyre më 31 korrik. Por, mosmarrëveshjet mes përfaqësuesve të dy partive, PD dhe PS, penguan zhvillimin e procesit, i cili u shty për më 21 gusht.