Lajme Shqip Sunday, 03 November 2013 14:08

Prishtinë- Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në Kosovë, deri në orën 11, ka arritur deri në 12 % në gjithë territorin e Kosovës, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Një vëmendje e posaçme po i kushtohet situatës në veri, prej nga raportohet për disa pengesa.

Thaçi: këto zgjedhje janë test për Republikën e Kosovës

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore Faik Konica në Prishtinë.

Me këtë rast ai ka thënë se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme pasi po mbahen një vit pas përmbylljes së mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës.

“Këto janë zgjedhjet e para të lira që organizohen në gjithë territorin e Kosovës dhe historike për shtetin tonë të ri që kaluam një vit të mbikëqyrjes së pavarësisë me sukses të plotë , që kemi hapu tani rrugën e sigurt për Integrime Evropiane dhe procesit të stabilizim-asociimit , procesin e liberalizmit të vizave”, tha ai.

Thaçi tha se këto zgjedhje janë një test për Kosovën drejt integrimeve evropiane , ndërsa falënderoj qytetarët dhe partitë politike për një fushatë të qetë korrekte.
“Këto zgjedhje janë test evropian për Republikën e Kosovës . Unë edhe njëherë sot dëshiroj t`i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në fushatë , falënderoj gjithë spektrin politik për një fushatë korrekte të qetë të konkurrencës së lirë, edhe sot kam besim të plotë se shteti ynë Kosova dhe qytetarët e Kosovës do t`a kalojnë testin evropian për të ardhmen e tyre, pra për të dëshmuar rendin demokratik, për të dëshmuar zhvillim aktiv të demokracisë dhe perspektivë të sigurt evropiane , pra sot do të jemi të gjithë të angazhuar për Kosovën Evropiane”, theksoi kryeministri Thaçi.

 

Mustafa u bën thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në votime

 

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka votuar sot gjatë orës 10.00, në shkollën fillore Emin Duraku.

Mustafa në një deklaratë për media, tha se ky proces zgjedhor deri më tani është i rregullt, dhe që i bën thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në votime.

“Mendoj që është një proces shumë i mirë, deri më tani shumë i rregullt, na gëzon fakti që qytetarët po dalin në votime dhe ajo që unë kërkoj nga qytetarët dhe i ftoj është që ata të gjithë të votojnë, të votojnë të gjithë sipas vullnetit të tyre , të votojnë për Kosovën, të votojnë për integrimet tona evropiane dhe të tregojnë se ne jemi një shtet demokratik”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa tha po ashtu se rezultatet e votimeve janë ato që legjitimojnë votën e lirë të qytetarëve.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, po rikandidon për postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

 

​Voton Haradinaj, fton qytetarët për dalje në zgjedhje

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka votuar në shkollën e mjekësisë në kryeqytet.

Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“E shfrytëzova të drejtën e qytetarit. Votova. I ftoi qytetarët e Prishtinës, qytetarët e Kosovës që të votojnë”, pohoi Haradinaj.

 

Voton Albin Kurti

 

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, votoi në qendrën e votimit 1913 në Fakultetin Juridik.

Ai tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për qytetarë dhe komunat e Kosovës, jo vetëm për lirinë dhe demokracinë, por edhe për shtetndërtimin në Kosovë. Ai tha se shpreson dhe uroi që i gjithë procesi të shkojë mirë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka votuar në sallën ‘1 tetori’. Ajo bëri thirrje për dalje sa më masive të votuesve në këto zgjedhje, duke i quajtur këto zgjedhje si test të pjekurisë politike dhe të demokracisë së brendshme.

“Kryeva obligimin tim si qytetare e Kosovës. Bëj apel te qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre duke dalur masovisht. Këto zgjedhje janë test i pjekurisë sonë politike, test i demokracisë, dhe dëshmia e një shteti gjithëpoërfshirës që po e krijojmë. Është përkujtimi për sakrificën nëpër të cilën ka kaluar shoqëria jonë”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

 

DV: Disa paregullsi të vogla në votime

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që monitoron procesin zgjedhor me rreth 1, 600 vëzhgues në të gjithë territorin e Kosovës, deri më tash ka vërejtur disa parregullsi të vogla.

“Hapja e vendvotimeve kryesisht ka ndodhur me kohë; ka pasur probleme të vogla teknike. Në disa raste mungojnë disa nga komisionet; ka raste ku shiriti i sigurisë nuk është lidhur siç duhet. Ka raste ku në disa vendvotime ka më pak fletëvotime sesa numri i regjistruar i votuesve. Pastaj, një rast apo dy të tilla që është fotografuar vota”, ka thënë koordinatorja e “Demokracia në Veprim” për Prishtinën, Shqipe Pantina.

Policia: Në veri ka thirrje për bojkot

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë. Megjithatë, ai bëri të ditur se në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin e votimit.

“Së paku në tri lokacione të ndryshme të qendrave të votimit kemi grupe të qytetarëve, të cilët thërrasin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Këta persona po qëndrojnë në një distancë më të largët nga qendrat e votimit dhe nuk kemi të bëjmë me bllokim të hyrjeve drejtpërdrejt me qendrat e votimit, por vetëm me shprehje të pakënaqësisë së tyre me këtë aspekt të votimit. Thjesht, ata thërrasin njerëzit për bojkotim të këtyre zgjedhjeve”, tha Hoti.

 

KQZ: Janë hapur të gjitha qendrat e votimit, përveq një vendvotimi në veri

 

Komisioni Zgjedhor ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën Kryetarja Valdete Daka deklaroi se të gjitha qendrat e votimeve janë hapur përveç një vendvotimi në veri të Mitrovicës.
“Të gjitha qendrat e votimit janë hapur, vetëm një vendvotim në pjesën veriore nuk është hapur për shkaqe teknike”, tha Daka.
Sipas Dakes në atë vendvotim nuk është shpërndarë materiali për këtë arsye nuk ka arritur të hapet. Ajo tha se nuk ka nuk ka raportim për ndonjë incident ose parregullsi./b.sot/