Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 14:49

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) akuzoi të premten Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor (KQZ) në komunën Shalë (Shkodër), e cila kryesohet nga anëtarët e opozitës, se po pengon qëllimisht zhvilimin e zgjedhjeve në këtë komunë.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, shprehu shqetësimin e Komisionit se përgatitjet për zgjedhjet e së dielës në këtë komunë nuk janë në nivelin e duhur, pasi KZAZ-ja nuk po kryen detyrat e parashikuara në kodin zgjedhor.

“Edhe pse PD dhe LSI prezantuan kandidatët për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit, KZAZ-ja nuk ka kryer emërimet e tyre, ndërkohë që dy subjektet e tjera, PS dhe PBDNJ, nuk i kanë paraqitur fare ata”, deklaroi zëdhënësi Olli, duke shtuar se kjo është një përpjekje për bllokimin e zgjedhjeve në këtë komunë.

“Nëse komisioni zonal do të vazhdojë të operojë me këtë papërgjegjshmëri, në kundërshtim të hapur me ligjin, do të kemi moszhvillim të zgjedhjeve, ashtu sikurse ndodhi më 31 korrik, kur procesi nuk u zhvillua”, tha Olli. Ai shprehu vendosmërinë e KQZ-së “për të mos toleruar në asnjë mënyrë moszhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë”.

“Është e papranueshme që subjektet politikë dhe përfaqësuesit e tyre në KZAZ të sillen me këtë papërgjegjshmëri, duke e ditur se komuna Shalë po mban peng shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale dhe përfundimin e procesit zgjedhor të 8 majit”, nënvizoi zëdhënësi.

I pyetur nga gazetarët Olli nuk pranoi të bëjë komente rreth raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit, por theksoi se problematika e ngritur në dokumentin e ndërkombëtarëve është neglizhenca dhe mosrespektimi i ligjit nga ana e subjekteve politike, dhe në rastin konkret e dy subjekteve të opozitës, PS dhe PBDNJ.

Zëdhënësi bëri të ditur KQZ do të japë opinionin e tij për raportin në momentin që zgjedhjet vendore të kenë përfunduar.

Më 21 gusht KQZ vendosi përsëritjen e zgjedhjeve për kandidatë për kryetar në njësinë zgjedhore komuna Shalë, Qarku Shkodër.

Ky proces nuk arriti të zhvillohej në zgjedhjet e pjesshme të 31 korrikut, sikurse ishte përcaktuar, për shkak të incidenteve të krijuara mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së. (LajmeShqip.com)