Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 16:55

Prishtinë-Për secilën njohje që ka marrë Kosova gjatë vitit të kaluar, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 1 milion euro. Kjo shumë është nxjerrë nga shpenzimet jashtë shtetit të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, mëditjet e tyre, dhe shpenzimet tjera të udhëtimit.

Në këto shpenzime nuk llogaritet kontrata e veçantë e nënshkruar muaj më parë me kompaninë amerikanë “Patton Boggs LLP”, e cila udhëhiqet nga Frank Wisner.

Zyrtarisht nuk raportohen shuma të shpenzuara në këtë drejtim as nga Ministria e Financave por as nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ndërkohë që burime të gazetës brenda qeverisë kanë bërë me dije se 5 për qind e shumës totale prej 386 milionë sa janë të ndara në linjën buxhetore për paga dhe mëditje për zyrtarët e qeverisë, shkojnë për udhëtim jashtë vendit që del të jetë për vitin e kaluar 19.3 milionë euro të shpenzuar, nga kjo shumë pjesa më e madhe është harxhuar për vizitat që kanë pasur të bëjnë vetëm me njohjet e shtetësisë së Kosovës.

Kur llogaritet numri i njohjeve dhe paratë e shpenzuara del se mbi 1 milion euro ka kushtuar një njohje e fituar. Ministri për Financa, Bedri Hamza, tha se nuk ka linjë të veçantë për lobim, por që për këtë punë më saktë mund të sqarojnë ministritë adekuate që merren me lobim, siç është ajo e Punëve të Jashtme. As nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk është dhënë ndonjë shifer sesa ata shpenzojnë për udhëtime jashtë vendit. (Zëri)