Lajme Shqip Wednesday, 16 October 2013 16:00

 

Prishtinë- Komisioni ka ardhur në përfundim Kosova ka qenë e angazhuar në dialogun me Serbinë, dialog i lehtësuar nga BE, dhe ka realizuar reformat e rëndësishme në politika, të cilat ishin identifikuar në studimin e fizibilitetit të vitit 2012.
Kosova ka rritur kapacitetin e saj për të adresuar prioritetet e procesit të integrimit evropian përmes ndjekjes së prioriteteve afatshkurtra të identifikuara në studimin e fizibilitetit (sundimi i ligjit, administrata publike, mbrojtja e minoriteteve dhe tregtia) dhe përmes përgatitjes për negociata të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim.
Komisioni ka theksuar nevojën e vazhdimit të normalizimit të raporteve me Serbinë dhe ndërtimin e një Kosove gjithëpërfshirëse.
Përpjekje të mëtutjeshme të Kosovës janë të nevojshme për të plotësuar sfidat e agjendës së reformave evropiane duke pasur parasysh Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim.
Fushat e prioritetit përfshijnë sundimin e ligjit, gjyqësorin, administratën publike, reformën elektorale dhe Kuvendin, të drejtat njerëzore dhe themelore, mbrojtjen e minoriteteve, tregtinë dhe çështjet e tregut të brendshëm, dhe çështjet fitosanitare dhe të veterinarisë.
Kosova thuhet se ka lëvizur drejt krijimit të një ekonomie funksionale të tregut. “Në të njëjtën kohë, nevojiten reforma dhe investime të konsiderueshme për t’i mundësuar Kosovës që të përballojë presionin konkurrues dhe forcat e tregut. Në veçanti, Kosova duhet të përmirësojë mjedisin e saj afarist, mbështetjen e sektorit privat dhe adresimin e dobësive strukturore në tregun e punës, në mënyrë që të zvogëlojë nivelin e papunësisë”, thuhet në raport.
“Nevojiten përpjekje të mëtejshme në implementimin e kornizës ligjore, veçanërisht në fushën e tregtisë konkurrencës dhe tregut të brendshëm. Kosova duhet të shtojë përpjekjet e saj në luftimin e tregtisë ilegale dhe therjen e kafshëve. Ajo duhet të fuqizojë kontrollimin e tregjeve të blegtorisë dhe duhet të përmirësojë statistikat afariste dhe të përmirësojë sigurinë e ushqimit dhe kontrollet fito-sanitare. Në sektorin e energjisë, përpjekjet për dekomisionimin e termocentralit Kosova A duhet të rriten”, thuhet në raport.

Zhbogar i dorëzon Raportin Presidentes

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga pranoi sot nga Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, zotëri Samuel Zhbogar, Raportin e Progresit 2013 për Kosovën, të përpiluar nga Komisioni Evropian, i cili detajon përparimin e gjithëmbarshëm të Kosovës dhe vlerëson reformat që vendi ynë i ka ndërmarrë karshi anëtarësimit në BE, thuhet në komunikatën për medie të Presidencës.

Shefi i Zyrës së BE-së, zotëri Zhbogar e cilësoi raportin mbi përparimin e Kosovës si shumë të mirë, duke e vlerësuar atë si një përmbledhje të punës së institucioneve të Republikës së Kosovës dhe një udhërrëfyes për thellimin e reformave. Zotëri Zhbogar tha se Raporti i Progresit vlerësoi pozitivisht punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian që udhëhiqet nga Presidentja në ndërtimin e konsensusit kombëtar.

Presidentja Jahjaga e mirëpriti raportin e Komisionit Evropian për Kosovë, duke vlerësuar se është e kënaqur me të arriturat e këtij viti në kuadër të agjendës evropiane, dhe u përkushtua që prioritetet e identifikuara në raport do të adresohen me seriozitet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj. Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e Bashkimit Evropian në procesin e reformave, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, është e nevojshme dhe e domosdoshme.

Presidentja e Republikës së Kosovës po ashtu përshëndeti vendimin e Komisionit Evropian për të lansuar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën më 28 tetor, të cilat synohet të përfundojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Thaçi: Raport pozitiv dhe real


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Me këtë rast, z. Zhbogar edhe në mënyrë zyrtare i dorëzoi kryeministrit Thaçi Raportin e Progresit për Kosovën.

Kryeministri Thaçi falënderoi Komisionin Evropian, për punën që po bënë në mbështetje të institucioneve dhe shoqërisë kosovare, dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për avancimin e proceseve që kanë të bëjnë me përmbushjen e obligimeve për rrugën e integrimeve evropiane.

Raporti i Progresit është pozitiv dhe real, që vlerëson raportet e Kosovës me shtetet fqinje, si një e arritur për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi – theksoi kryeministri Thaçi gjatë pranimit të Raportit të Progresit, thuhet në komunikatën nga Zyra e kryeministrit.

Kryeministri Thaçi, theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë fuqishëm me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë në implementimin e të gjitha prioriteteve tona të përbashkëta, për zbatimin në jetë të të gjitha kritereve demokratike, qoftë reformat në drejtësi, në ekonomi, dhe në politikë.

Ne do t’i marrim të gjitha këto rekomandime me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore dhe institucionale, sepse kjo është një etapë e re për Kosovën. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara maksimalisht për të punuar në përmbushjen e këtyre kritereve dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhmen – u shpreh kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar, falënderoi kryeministrin Thaçi për përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës, për punën e bërë në realizimin e obligimeve dhe të sfidave që dalin nga Raporti i Progresit, dhe theksoi nevojën e thellimin e angazhimeve të institucioneve të Kosovës për përshpejtimin e proceseve, që të hapet perspektiva evropiane për Kosovën. ./koha/