Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 18:27

Prishtinë – Dita e sotme e zgjedhjeve në Shqipëri, është ditë e demokracisë shqiptare, janë shprehur qytetarët kosovarë në opinonet e tyre, të cilët kanë ndjekur me shumë interesim procesin e sotëm të votimit.

“Të fitojë Shqipëria”, theksohej në një kryetitull të një editoriali të shtypit të sotëm të Prishtinës, i cili vlerësonte rëndësinë e mbarëvajtjes së zgjedhjeve vendore në Shqipëri si një vend anëtar në NATO dhe që aspiron në rrugën drejt BE-s.

Televizioni i Kosovës në edicionin qendror informativ të mbremjes pak minuta më parë në raportimin e drejtpërdrejtë nga Tirana konstatoi se “dita e sotme në përgjithësi ka qenë e qetë, një ditë edhe festive”, duke theksuar që në krye të lajmeve se Shqipëria sot votoi për të zgjedhur drejtuesit e pushtetit lokal dhe se gara kryesore u zhvillua në kryeqytetin shqiptar”.

Rrjeti kosovar i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka njofuar se është pjesë e vëzhgimit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri, në kuadër të KRIIK – anëtare e Rrjetit Evropian të Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (ENEMO).