Lajme Shqip Wednesday, 05 September 2012 18:19

Prishtinë – Kosova ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes saj dhe Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë. Me miratimin e këtij projektligji dhe ratifikimin e këtij projektligji në Kuvend me 2/3 e votave, misionit të EULEX-it i zgjatet mandati deri në qershor të vitit 2014 dhe emrin do të ketë EULEX-Kosova.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi foli para kabinetit qeveritar për aktivitetet që pritet të zhvillohen të hënën me rastin e përmbylljes zyrtare të mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës, teksa kërkoi nga gjithë spektri politik që ratifikimin e letërkëmbimit mes presidentes Jahjaga dhe baroneshës Ashton si dhe ndryshimet kushtetuese, t’i miratojnë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës. Ai kërkoi unitet në këtë periudhë, të cilën e quajti historike për Kosovën.“Pres që të premten të kalojë dhe të votohen me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës edhe ky letërkëmbim, pra kjo marrëveshje bilaterale, por në të njëjtën kohë edhe ndryshimet kushtetuese që do të hapin perspektivë për seancën solemne”, tha Thaçi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke prezantuar projektligjin, tha se janë tri çështje kryesore që përfshihen në këtë projektligj, i cili veç tjerash përcakton që nga miratimi i tij, emërtimi i EULEX-it të jetë EULEX-Kosova. “Dhe këtu është, Zgjatja e mandatit të EULEX-it në fushat e parapara më marrëveshje deri më 15 qershor 2014, nën dy është delegimi i autoritetit për propozim dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtar në përputhje me kushtetutën neni 20 dhe tre garanton imunitet të stafit të zyrës dhe personelit të EULEX-it”, tha Kuçi.

Ministrat nga komunitetet joshqiptare, shprehën mbështetjen e tyre për këtë projektligj, por kërkuan që edhe për dy mandate të mbeten vendet e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq tha se duhet sa më shpejt të iniciohet kjo çështje, transmeton RTK. “Ne kërkojmë të drejtën që të vazhdohet sistemi që komunitetet të kenë vendet e rezervuara edhe për dy mandatet e ardhshme. E di që na duhet kohë, por është mirë që ta iniciojmë sa më shpejtë, pasi që kjo shkon në përputhje me votimin që do të mbahet të premten”, tha Rashiq.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se kjo pjesë do të jetë pjesë e veçantë e diskutimit dhe do të vendoset nëse do të diskutohet në seancën e të premtes apo jo. Ndryshe, në seancën e së premtes pritet të miratohen amendamentet e ndryshuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërkaq të hënën do të ketë një seancë solemne për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, ku do të jenë të pranishëm edhe shumë diplomatë ndërkombëtar, mes tyre edhe treshja negociatore e Kosovës, Ahtisari, Uisner dhe Ishinger.

***********************************************

Lëvizja vetëvendosje në një konferencë për media, ka theksuar dhe njëherë për keqfunksionimin e Qeverisë së Kosovës, duke kritikuar letrat e drejtuar baroneshës Ashton nga presidentja Atifete Jahjaga dhe Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, për zgjatjen e mandatit të EULEX-it.

Vetëvendosje vlerëson se Qeveria dhe Presidenca janë vënë në sikletin e akomodimit të mandatit të EULEX-it pas kësaj që po quhet përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë. Sipas vetëvendosjes fakti që Qeveria dhe Presidenca sipas vullnetit të tyre partikular i kanë shkruar Ashtonit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, tregon për keqfunksionimin e demokracisë në Kosovë.

“Asnjëherë nuk u diskutua e nuk e debatua në Kuvend lidhur me kërkesën e Presidentes dhe Qeverisë për zgjatjen e mandatit të EULEX-it. Nuk është demokraci që EULEX-i të ftohet pa u pyetur Kuvendi, e Kuvendit t’i lihet vetëm miratimi i vendimmarrjes paraprake të Qeverisë dhe Presidencës. Kuvendi i Republikës së Kosovës është ai që duhet ta diskutojë çështjen nëse është apo nuk është i nevojshëm ende misioni i EULEX-it”, theksoi VV, në një konferencë për media. (LajmeShqip.com)