Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 14:00

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje thotë se pensionet janë një e drejtë, ndërsa beson në një sistem pensional të qëndrueshëm, solidar, të integruar dhe të barabartë që garanton pensione të mjaftueshme për brezat e ardhshëm, por në të njëjtën kohë përkujdeset për pensionistët ekzistues, është i domosdoshëm për Kosovën.

Gjatë një konference për media, Vetëvendosje konstatoi se duke bërë një tranzicion të padrejtë nga sistemi i gjeneratave në atë të vetëfinancimit, Kosova ka lënë anash një gjeneratë të tërë të pensionistëve ekzistues kontributdhënës.

“Për më shumë, sistemi aktual pensional është i fragmentuar dhe trajton ndarazi grupe të ndryshme të shoqërisë sa i përket pensioneve gjë që nuk mund të shihet në asnjë vend tjetër”, thanë zyrtarë të këtij subjekti politik, duke shtuar se reformimi i sistemit pensional në Kosovë është një nga prioritetet e Vetëvendosjes, që ka për qëllim krijimin e një sistemi të mirëfilltë të integruar tri shtyllësh me anë të një Ligji për Sigurime Pensionale.

“Zhvillimi dhe avancimi i sistemi pensional me një sërë masash që do krijonin një sistem pensional solidar, efikas, përfshirës dhe të qëndrueshëm ekonomikisht dhe në kohë është domosdoshmëri e cila nuk pret më”, thanë më tej zyrtarë të Vetëvendosjes.

Reformimi i sistemit pensional i propozuar nga Vetëvendosja përfshin 7 hapa konkretë që do duhej të trajtoheshin me Ligjin për Sigurime Pensional dhe Invalidore: caktimin e kontributit shtesë në tregun e punës nga 5%+5% në 8%+8% ku diferenca prej 3% + 3% (ose 80 mln euro në baza vjetore) do transferohej në shtyllën e parë për të financuar pensionistët ekzistues.

Sipas Vetëvendosjes, në këtë mënyrë do ulej barra buxhetore drejt zeros në një periudhë prej 5 deri 8 vjetësh varësisht prej hovit të zhvillimit ekonomik të vendit dhe se ky kontribut shtesë do aftësonte qeverinë që të paguaj pensione që arrijnë 60% të pagës mesatare. Mes tjerash Vetëvendosje kërkon pastrimin e Listës së Pensionistëve. Ato duhet të përfshijnë vetëm ata individë që duhet të marrin pensione nga shtylla bazë pensionale e Kosovës. (LajmeShqip.com)