Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 16:29

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marr pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha në një konferencë për media se arsyeja e mos pjesëmarrjes në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, është sepse siç tha është një seancë farse që organizohet me paratë e popullit. Ai tha se asnjë nga deputetët nuk do të kenë mundësi të marrin fjalën në emër të qytetarëve, por janë ftuar për të qenë në këtë seancë vetëm si spektator të privilegjuar. Kurti tha se Plani i Ahtisarit e ka vonuar pavarësinë e vërtetë, duke shtuar se nuk janë zgjidhur çështjet për të cilat është hartuar.

 “Plani i Ahtisarit jo vetëm që nuk e përmban pavarësinë e plotë, por në të njëjtën kohë ai e ka vonuar pavarësinë e vërtetë, sepse nuk e parasheh të drejtën për vetëvendosje e as sovranitetin për shtetin. Tani po prezantohet përmbyllja e një dështimi të dykahshëm: kurorëzimi i dështimit të planit të Ahtisarit në veri me negociata për veriun dhe tjetra kurorëzimi i dështimit të instalimit të drejtësisë shoqërore e politike me prezencën e EULEX-it.”

Kurti tha se po hiqet vetëm mbikëqyrja e dukshme e jashtme për tu shndërruar në një mbikëqyrje të brendshme që fshihet brenda ligjeve. Ai tha se më këtë lloj përmbylljeje të mbikëqyrjes së pavarësisë nuk po synohet sovraniteti i Kosovës, por po legjitimohet mungesa e sovranitetit.

Visar Ymeri paraqiti qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për amendamentet kushtetuese që u votuan të premten në Kuvend. Ai tha se me këto amendamente është ngritur më shumë statusi i EULEX-it duke u votuar nga 2/3 e Kuvendit. Edhe pas amandamentimit, Kushtetuta e Kosovës vazhdon të mohojë një pjesë të së drejtës sovrane të institucioneve të Kosovës për ta ushtruar sovranitetin, për shkak se e mban EULEX-in brenda, tha Ymeri. (LajmeShqip.com)