Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 10:51

Prishtinë – Drejtues të Agjensionit Kadastral të Kosovës edhe më tutje ftojnë qytetarët, që të bëjnë regjistrimin e banesave në ndërtesat e banimit kolektiv ku jetojnë, sepse është në të mirë të tyre. Në Kosovë është duke u bërë regjistrimi i  banesave kolektive në 4 qytete regjionale: Prishtinë, Gjilan, Pejë e Prizren.

Deri më tani, 11 mijë e 550 aplikacione janë plotësuar nga qytetarët e këtyre vendeve dhe po trajtohen nga komisioni për krijimin e informacioneve kadastrale për banesat dhe ndërtesat që gjenden ato parcela.

Drejtori i Agjensionit Kadastral të Kosovës, Murat Meha, tha se regjistrimi po ju jep mundësi qytetarëve që t’i legalizojnë pronat e tyre, duke zgjidhur kështu një problem të përhershëm.

“Ky proces i rindërtimit të kadastrit dhe krijimit të informacionit në këto qytete është shumë i rëndësishëm, sepse mundësohet tregu i tokave, tregu i njësive kadastrale, banesave i cili deri tash ka qenë i ngadalësuar për të mos thënë i penguar, sepse për të dhënë në hipotekë një tokë apo banese, informacioni duhet të jetë i sigurt dhe i saktë”, ka thënë Meha.

Mirëpo, ai thotë se realizimi i këtij projekti duhet të vazhdojë edhe në qytetet e tjera, por për këtë duhet ratifikimi në Parlamentin e Kosovës.

“U bëj ftesë të gjithë deputetëve që të ratifikojnë projektin që e përkrahur Banka Botërore që këto informacione të na mundësohen përmes bankës. Ky është një projekt që duhet të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës ku 45 për qind është donacion dhe 55 për qind është projekt që duhet të realizohet, do të ishte shumë mirë për ekonominë e Kosovës nëse kjo bëhet përmes Bankës Botërore, shtoi Meha.

Për qytetarët, ky lloj projekti ka qenë i domosdoshëm. Ky projekt, pritet të përfundojë deri në muajin qershor. Meha tha se procesi i regjistrimit të banesave dhe lokaleve afariste kryhet pa shpenzime nga qytetarët.