Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 15:53

Prishtinë – Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, bëri sot përurimin e Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil në komunën e Parteshit, një komunë e re me shumicë serbe e Paketës Ahtisaari në procesin e decentralizimit në Kosovë.

Në këtë ceremoni përuruese, sipas njoftimit nga Ministria e Brendshme e Kosovës, ministri Rexhepi tha se kjo Qendër i plotëson të gjitha kushtet për qytetarët e Parteshit, në pajisjen e tyre me dokumentet civile dhe me këtë rast theksoi rëndësinë e pajisjes me këto dokumente për të gjithë. Ai gjithashtu premtoi se shërbimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të jenë të shpejta dhe cilësore për të gjithë qytetarët e vendit.

“Sot kishim kënaqësinë të bëjmë inaugurimin e Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil në Partesh. Në këtë Qendër kushtet për personel janë shumë të mira dhe shpresoj se edhe qytetarët do të jenë shumë të kënaqur me shërbimet që do t’i bëjë personeli i MPB-së”, tha ministri Rexhepi.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Komunal të Parteshit, Nenad Cvetkoviç, tha se hapja e QKRC-së në këtë komunë është një hap pozitiv në çështjen e integrimit të komuniteti serb si dhe “lehtëson shumë procedurën e pajisjes me dokumente civile, sepse deri më tani banorët e Parteshit është dashur të shkojnë në komunën e Gjilanit për t’u pajisur me dokumentet e tyre”.